
TIRANË- Policia e Lushnjes ka marrë në mbrojtje prokuroren Merita Selimi. Vendimi është bërë me dije sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas dyshimeve se ajo do të ishte në shënjestër të Laert Haxhiut, i cili pretendohet se kishte planifikuar ekzekutimin e saj.
Informacioni u sigurua pas dëshmisë së bashkëpuntorit të prokurorisë, Artan alias Marjus Tafani, i cili tha se Laert Haxhiu dhe persona të tjerë të grupit kriminal, ishin vënë në lëvizje për të vrarë prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi. Bashkë me të janë marrë në mbrojtje edhe familjarët e saj që jeton në Lushnjë.
Prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting). Gjatë karrierës së saj, prokurorja hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.
12 persona u arrestuan javën e kaluar në kuadër të operacionit “Kurrë mos harro”. Artan Tafani, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë, zbuloi grupin e Laert Haxhiut dhe zbardhi 6 vrasje të kryera ndër vite nga ky grup rival i bandës së Aldo Bares.
Ndërkohë që në dëshminë e Tafanit thuhej se ishte planifikuar dhe eleminimi i prokurores së SPAK Doloresa Musabelliu, e cila është marrë në mbrojtje. Gjatë ditës së sotme KLP ka thirrur një mbledhje ku do të jenë të pranishëm edhe kreu i SPAK Altin Dumani, ministri Taulant Balla, kreu i gardës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe prokurorin Kreshnik Ajazi. Takimi vjen një ditë pasi Doloresa Musabelliu u mor familjarisht nën ruajtje nga SPAK. Fokusi i takimit do të jetë rishikimi i masave të ruajtjes së prokurorëve në Shqipëri./Zëri.ai