
KOSOVË – I ashtuquajturi Drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka deklaruar këtë të hënë se është shumë e rëndësishme që të bëhet autopsia e tre serbëve të vrarë në Banjskë të Zveçanit.
Petkoviç tha se nuk është marrë ende nga Serbia një përgjigje nga ana e EULEX, për detajet e autopsisë të tre serbëve të vrarë. “Çështja e autopsisë është vendimtare. Por, EULEX ka refuzuar që të marrë pjesë në terren në hetimet e Policisë së Kosovës”, ka thënë ai. Petkoviç akuzoi Policinë e Kosovës se ka fshehur provat, për atë sesi agresorët serbë janë vrarë në Banjskë.
Ndërsa, më herët EULEX ka hedhur poshtë pretendimet e palës serbe. “EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”, ka thënë për REL misioni europian.
Petkoviç ka deklaruar se Serbia nuk është duke kërkuar që instancat ndërkombëtare si NATO, KFOR, BE dhe EULEX të “qëndrojnë në anën serbe”. “Ne nuk po kërkojmë nga instancat ndërkombëtare të qëndrojnë në krahun tonë. Nuk e dëshirojmë këtë gjë. Ne duam që ata të jenë të paanshëm”, tha Petkoviç në një konferencë për mediat në Beograd.
Beogradi zyrtar ka kërkuar nga EULEX-i që të përfshihet në hetime, pas sulmit. EULEX-i nuk i ka dhënë hollësi Radios Evropa e Lirë nëse e ka pranuar zyrtarisht këtë kërkesë prej Serbisë, mirëpo ka thënë se nuk ka “mandat ekzekutiv për të kryer hetime”.
“Misioni ka monitoruar dhe do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e kryera nga autoritetet në Kosovë që lidhen me sulmin, sikurse hetimet, konfiskimet dhe bastisjet. Në përputhje me mandatin që kanë dhe me legjislacionin e Kosovës, përfaqësuesit e EULEX-it ishin të pranishëm gjatë kryerjes së autopsisë, në cilësinë e monitoruesve”.
Një javë pas konfliktit të armatosur, Policia e Kosovës po vazhdon hetimet. Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla është shprehur të dielën se Prishtina ka prova, se Serbia ka tentuar të aneksojë veriun e Kosovës dhe se agresorët janë përgatitur në bazat ushtarake të Serbisë.
Zveçla ka deklaruar se më shumë se 90 persona morën pjesë në sulmin me armë zjarri kundër Policisë së Kosovës. Në Banjskë të Zveçanit janë zbuluar një sërë armatimesh të serbëve të vrarë, arrestuar ose të arratisur. Ish-nëënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç ka thënë se ka qenë i pranishëm në sulmin e Banjskës.
Petkoviç publikon pamjet e rënda të vrasjes së serbit
I ashtuquajturi drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviç shprehet se në autopsinë e trupave pa jetë, EULEX nuk ka qenë i pranishëm.
Ai shprehet se në përgjigjen që EULEX i ka dërguar Beogradit, thuhet se autopsia e trupave pa jetë është bërë më 26 shtator, ndërsa në certifikatat e vdekjes, që kanë marrë familjarët, thuhet se ekzaminimet janë bërë më 25 shtator. Sipas Petkoviç, Prishtina ose EULEX janë duke gënjyer.
Petkoviç deklaron se janë vërejtur shumë parregullësi në autopsi, sepse fillimisht thuhej se efektivi u vra me plumb, ndërsa më pas është thënë se “u vra nga një shpërthim eksplozivi”.
Madje, Petkoviç hodhi akuza ndaj Kurtit, duke ngritur pyetjen se mos kryeministri i Kosovës dëshiron të kryejë pastrim etnik në Kosovë. Ai kishte ankesa dhe për ndërhyjet e policisë, duke thënë se arrestimet e serbëve lokalë kanë trazuar jetën e përditshme të serbëve në veriun e Kosovës. /Zëri.ai/