Aktualitet

"Përjashtimi nga Traktati për Energjinë", reagon Balluku: Nuk ekziston ky vendim i BE-së, sajim për dezinformim!

Në një reagim publik, institucioni hedh poshtë çdo pretendim, duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

zh.ll
"Përjashtimi nga Traktati për Energjinë", reagon
Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë

TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka reaguar lidhur me lajmin se Brukseli ka skualifikuar qeverinë shqiptare nga Ministeriali i Energjisë së BE-së, duke e cilësuar si të pavërtetë. Në një reagim publik, institucioni hedh poshtë çdo pretendim, duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

"Deklaratat dhe shkrimet e publikuara në orët e fundit përbëjnë shpifje të qëllimshme, me synim baltosjen e një prej sektorëve më të suksesshëm të Shqipërisë.", theksohet në reagim. Më tej, Institucioni thekson se se kemi të bëjmë me dezinformim publik dhe baltosje që përbën një manipulim të qëllimshëm, i cili nuk ka asnjë bazë faktike dhe synon vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në fushën energjetike.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për dezinformimin keqdashës dhe lajmet tërësisht të pavërteta dhe të qëllimshme për sa i përket sektorit energjitik.

Sqarojmë prerazi se nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk është marrë asnjë vendim i BE-së (organeve të saj) ndaj Shqipërisë.

Çdo pretendim në këtë drejtim është një sajim i pastër mediatik. Diskutimet e zhvilluara së fundmi kanë qenë vetëm në nivelin e Sekretariatit të Energjisë, një strukturë teknike e krijuar posaçërisht për të asistuar vendet jo-anëtare dhe nxitur zhvillimin e sektorit energjetik në linjë me standardet e vendeve te BE.

Shqipëria, është një nga vendet me performancën më të qëndrueshme dhe pozitive në zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, vlerësim i reflektuar qartë në raportet ndërkombëtare përkatëse. Përpjekjet për ta paraqitur vendin si problematik janë të rreme dhe dashakeqe.

Gjatë mbledhjes së Sekretariatit të Energjisë të mbajtur javën e kaluar, janë identifikuar masa të përgjithshme që duhet të përmbushen nga të gjitha vendet anëtare (të këtij Traktati) deri në korrik 2026. Në rastin e Shqipërisë, kërkesa konsiston në përafrimin e ligjit për sektorin e energjisë me Rregulloret e BE-se, një proces normal dhe i planifikuar, për të cilin projektligji dhe aktet e tjera janë përfunduar, publikuar për konsultim publik dhe disa të miratuara. Paraqitja e kësaj procedure si “ndëshkim” apo “përjashtim” është manipulim i hapur i fakteve dhe sulm i pastër, i qëllimshëm, dhe i koordinuar ndaj sektorit energjitik shqiptar.

Deklaratat dhe shkrimet e publikuara në orët e fundit përbëjnë shpifje të qëllimshme, me synim baltosjen e një prej sektorëve më të suksesshëm të Shqipërisë. Ky sukses është i dokumentuar qartë edhe nën Kapitullin 15 të negociatave me Bashkimin Europian, ku sektori i energjisë konsiderohet ndër fushat me progres real dhe të matshëm.

Theksojmë me forcë se në asnjë raport zyrtar të Komunitetit të Energjisë nuk përmenden ndëshkime apo shkaqe për mospërmbushje detyrimesh për TEC-in e Roskovecit, termocentralet lundruese, rrjetin e interkonjeksioni apo të tjera. Përfshirja e tyre në këto lajme përbën një manipulim të qëllimshëm, i cili nuk ka asnjë bazë faktike dhe synon vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në fushën energjetike dhe në procesin e integrimit europian, duke realizuar qartazi planin dashakeqës të faktorëve të ndryshëm që janë aktive në këto momente.

Institucionet përgjegjëse nuk do të tolerojnë keqinformimin dhe do të reagojnë ndaj çdo përpjekjeje për dezinformim publik dhe baltosje, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe vijimësi të reformave në sektorin energjetik.

Një ditë më parë u raportua se Ministeriali i Energjisë së BE-së ka ndëshkuar Shqipërinë nga projektet në fushën e energjisë, për shkak se qeveria shiptare nuk ka përmbushur detyrimet që ishte zotuar në këtë sektor. Në vendimin e marrë në datën 18 Dhjetor në Vjenë, Shqipërisë i ngarkohen një sërë detyrash që duhet të përmbushë deri në Korrikun e vitit të ardhshëm. Në vendim thuhet se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do ndërrmarë në korrigjimin e problemeve të konstatuara ne politikat e Energjisë.

Sipas dokumentit të Ministerialit të energjisë, Shqipëria nuk ka miratuar dhe zbatuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për t’u përputhur me Direktivën e Bashkimit Europian, që lidhet me përgatitjen për rrezikun në sektorin e energjisë elektrike./ZËRI

Poll

MOS HUMB