Aktualitet

Përfituan prona duke falsifikuar dokumente, në 'skenë' sërish ish-drejtori i ASHK Fier! Masa të reja dhe PAMJE nga arrestimet

Në kuadër të këtij operacioni, ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, u arrestua pak ditë më parë, në lidhje me hetimet për tjetërsimin e rreth 1,143 hektarëve tokë në zonën e Semanit.

zh.ll
Përfituan prona duke falsifikuar dokumente, në 'skenë'
pamje nga arrestimet

FIER- Policia e Fierit ka publikuar pamjet nga ekzekutimi i masave të sigurisë në kuadër të fazës së dytë të operacionit "Stolen Land" për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Në kuadër të këtij operacioni, ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, u arrestua pak ditë më parë, në lidhje me hetimet për tjetërsimin e rreth 1,143 hektarëve tokë në zonën e Semanit. Ndërkohë, Policia ka njoftuar ekzekutimin e masave të tjera të sigurisë ndaj Ervin Habilaj (arrest me burg) dhe Emiljan Ruko (detyrim paraqitje).

Sipas njoftimit të Prokurorisë më herët, është zbuluar një tjetër rast, me të njëjtën skemë të falsifikimit dhe përvetësimit të një sipërfaqeje toke. Pas rastit të Semanit, ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, rezulton i përfshirë edhe në një tjetër procedim penal të Prokurorisë së Fierit. Këtë herë, bëhet fjalë për regjistrimin dhe tjetërsimin e rreth 71.7 hektarëve tokë në Levan dhe Dërmenas.

Njoftimi i Policisë: 

Në vijim të operacionit “Stolen Land”, finalizohet faza e dytë e operacionit, ekzekutohen 3 masa të tjera sigurie.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier ka ekzekutuar 3 masa të tjera sigurie ndaj shtetasve:

* E. H., 49 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”;

* E. Sh., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e dytë të sigurisë “Arrest në burg”;

* E. R., 40 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye pasi, në vijim të hetimeve, ka rezultuar se shtetasi E. H., në bashkëpunim me shtetasin E. Sh., ish-drejtor i ASHK-së, i cili mori masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe u vu në pranga tre ditë më parë, si dhe me ndihmën e shtetasit E. R., i cili në atë periudhë ushtronte detyrën e topografit pranë ASHK-së, kanë falsifikuar dokumente, me qëllim përfitimi të padrejtë.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të shpërdorimit të detyrës, fshehjes së të ardhurave dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe për dokumentimin e përfshirjes së shtetasve të tjerë në këtë skemë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB