Aktualitet

'Pazare' për pronat në Zvërnec: Artur Shehu takime në Stamboll me Adrian Ramën, Sky Ecc i nxjerr 'zbuluar'

Sipas dosjes hetimore, nga komunikimet e administruara krijohen dyshime të arsyeshme se disa persona bashkëpunojnë në investime dhe ndajnë interesa të përbashkëta në pasuri të njëjta.

zh.ll
'Pazare' për pronat në Zvërnec: Artur Shehu takime
foto ilustrim: artur shehu

TIRANË- Biznesmeni Artur Shehu ndodhet në qendër të hetimit të SPAK në goditjen e rrjetit të pastrimit të parave të drogës, në biznese, ndërtime dhe projekte. Në dosjen e SPAK, theksohet se prona të shumta janë përfituar kryesisht në zonën e Vlorës.

Sipas dosjes hetimore, nga komunikimet e administruara krijohen dyshime të arsyeshme se disa persona bashkëpunojnë në investime dhe ndajnë interesa të përbashkëta në pasuri të njëjta.

Në dokumente përmenden emrat e disa personave nën hetim, përfshirë Adrian Rama, Elton Memeti, Erjon Rama, Artur Shehu, Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në zhvillimin e vilave në kompleksin “Green Coast” në Palasë, si dhe në prona të tjera në zonën e Zvërnecit.

Nga provat e grumbulluara janë përftuar të dhëna mbi mënyrën se si personi nën hetim Artur Shehu ka përfituar pasuri, vila në kompleksin "Green Coast", i cili vepron bashkërisht me personat nën hetim Arben Ismailaj, Alfredo Hamzai e Ardian Zykaj.

"Personi nën hetim Artur Shehu shfaqet disa herë si përfitues fundor i sipërfaqeve të shumta në Vlorë, të cilat janë përfituar nëpërmjet dokumentave të falsifikuara. Pavarësisht se ai nuk rezulton të jetë i dënuar, nga dosjet hetimore dhe vendimet gjyqësore të siguruara nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë dokumentuar raste, me persona të përfshirë në falsifikim të dokumentave të fitimit të pronësisë, ku pas kryerjes së një tërësie veprimesh juridike, përfitues fundor është personi
nën hetim Artur Shehu. Në këto procedime penale rezulton të jenë proceduar dhe dënuar persona, të cilët kryesisht janë personat që kanë përfituar fillimisht pronën me dokumenta të falsifikuara, apo personat që i kanë përfaqësuar ato,
por jo personat që i kanë përfituar ato", thuhet në dosje.

Nga komunikimet në SkyEcc të shoqëruar dhe me këqyrjet e sistemit TIMS provohet që personi nën hetim Adrian Rama ka udhëtuar drejt Stambollit për tu takuar me personi nën hetim Artur Shehu në periudhat korrik-shtator 2020.

Në komunikimet Adrian Rama zhvillon me Elton Memetin në datën 07.07.2020, Adriani i tregon për një bisedë që ka bërë me një person (i cili është personi nën hetim Artur Shehu).

Në vazhdim të komunikimeve midis Elton Memetit dhe Adrian Ramës në datën 15.08.2020, ndërkohë që ndodhet në Stamboll, ky i fundit i thotë se shpreson që personi me të cilin është në Stamboll ta mbyllë (marrëveshjen) me turqit, pasi kjo do ishte në interesin e tyre, por duhet të presin se akoma janë në bisedime.

Gjithashtu Adrian Rama komunikon me Alfredo Hamzai se duhet të jenë në Vlorë me shku në Zvërnec se shkojnë ca miq me pa pronat.

"Ata komunikojnë edhe për porosi që “kusho” iu jep për të takuar disa shtetas të huaj në lidhje me pronat që kanë në Zvërnec, nga kuptohet që personat nën hetim bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në investime dhe kanë dijeni për veprimet që kryhen me pronat e tyre, veprime të cilat të ndërlidhura dhe me aktivitetin kriminal dhe mënyrën se si kryhen veprimet tregojnë dijeninë e personave nën hetim Artur Shehu, Arben Ismailaj e Leonard Bishaj dhe përfshirjen e tyre në aktivitetin kriminal të pastrimit të produkteve të veprës penale. Në tërësi nga këto biseda përftohen të dhëna që personat nën hetim Artur Shehu dhe Alfredo Hamzai të kenë përfituar toka në Zvërnec dhe janë angazhuar për t'i zhvilluar këto prona", thuhet në dosje.

Referuar komunikimeve të kryera në SkyEcc ku përftohen të dhëna që personi nën hetim Artur Shehu ka përfituar pasuritë me anë të falsifikimeve, që personi nën hetim interesohet për të zhvilluar/investuar pasurinë në Zvërnec me personin tjetër nën hetim Alfredo Hamzai, duke dërguar shtetas të huaj për të parë këtë pasuri, duke qenë të shoqëruar nga personat e tjerë nën hetim Adrian Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB