
TIRANË- Pasditen e sotme, dhjetëra qytetarë kanë nisur një marshim për 3-vjeçarin, Brian Spahiu, i cili humbi jetën pas trajtimit të dhëmbëve në një klinikë dentare. Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të diel përpara klinikës private "Spitali i zemrës" të Roland Xhaxhos, në të cilën ndërroi jetë 3-vjeçari pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në gojë.
Me pankarta në duar, qytetarët janë mbledhur për një tubim sensibilizues si dhe për të bërë homazhet e vogëlushit.
E më pas, kanë ndezur edhe qirinj për vogëlushin e ndjerë. Një familjare e viktimës, e cila tha për mediat se ishte halla e tij, ka bërë thirrje për drejtësi. Në fjalën e saj, ajo tha se gazetarët kanë ndihmuar në zbardhjen e çështjes, e po ashtu kërkoi edhe mbështetje të mëtejshme për të vendosur drejtësinë.

"Zgjateni dhe pak më tej, na ndihmoni! Ky është një hall mjaft i madh mos t'u ndodhë të tjerëve. Kjo që na ndodhi ne mos i ndodhtë askujt. Dua drejtësi sa më shumë. Ju gazetarë ndiqeni këmba-këmbës. A e patë interevistën që dha? Jam halla e atij nipit. Ne na iku nipi, po të mos u ndodhë të tjerëve. Kjo që na ndodhi neve mos i ndodhtë askujt. Ai të marrë dënimin që meriton, se ne fëmijët se kemi më. Ai maskara po jeton me gjakun e djalit tonë. Nipi nuk më iku nga Zoti por nga dora e një krimineli,"-tha halla e 3-vjeçari në një komunikim për mediat.
Një stomatolog, i cili mori pjesë në tubimin sensibilizues për të miturin tha se ndërhyrja e bërë nuk bëhet brenda një dite, ashtu siç ndodhi në rastin e 3-vjeçarit.

"Nuk mund të mbushësh disa dhëmbë qumështi për 6 orë, është e pamundur. Unë se kam aplikuar për këtë metodë. Diçka ka ndodhur që ata e fshehin, më shumë më erdhi inat për kamerat që tha se janë prishur. Ka ndodhur diçka. Mjeku e ka marrë përsipër këtë gjë fëmija e ka kryer operacionit 1 vjeçe gjysmë dhe ishte shumë i shëndetshëm. Atij i kanë dalë organet jashtë loje. Djali duhej të çohej direkt në urgjencë dhe mund të shpëtonte. Nuk trajtohen brenda një dite, as infeksionet nuk mund të trajtohen brenda një dite,"- thotë stomatologu.
Ndërkohë qytetarët vendosën para klinikës, pankarta që shkruanin: Pse nuk flasin mjekët, po të ishte fëmija i tyre do flisnin?; Bluzat e bardha janë të shpëtojnë jetë jo të marrin; Pse nuk reagon Urdhri i Mjekëve, etj.
Rasti i vdekjes së 3-vjeçarit ka tronditur vendin, pasi i mituri humbi jetën pak orë pas ndërhyrjes në dhëmballë. Mjeku që e kuroi pretendon se 3-vjeçari ka dalë i zgjuar nga spitali, ndërsa familjarët ngulmojnë se të miturit i dhanë më shumë anestezi seç duhet./Zëri.ai