
LEZHË- Pjetër Nika, 67 vjeç është vënë këtë të shtunë në prangat e Policisë së Lezhës pasi akuzohet se pas një konflikti për çështje pronësie ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë nipin e tij. Ka qenë ndërhyrja në kohë e bluve të Lezhës që ka bërë të mundur parandalimin e një krimi të mundshëm brenda familjes. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e zjarrit dhe municioni luftarak. Ndërkohë Policia bën me dije se pas kontrollit në banesë Nikës i është gjetur dhe një sasi tjetër municioni luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lezhë. Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi përshkallzimin e një koflikti me armë zjarri mes xhaxhait dhe nipit. Policia sekuestron një armë zjarri psitoletë dhe municion luftarak. Vihet në pranga 67-vjeçari që kërcënoi nipin e tij, me armë zjarri, për motive pronësie. Me marrjen e njoftimit për një konflikt në fshatin Mërqi, ku shtetasi P.N kanoste me armë zjarri nipin e tij shtetasin F.N, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe të Forcës “Shqiponja” kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Falë ndërhyrjes në kohë është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit dhe është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi P. N., 67 vjeç, banues ne Merqi, Lezhë. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet edhe një sasi municioni luftarak.
Në përfundim te veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhe bënë arrestimin ne flagrancë të shtetasit P. N., për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./ZËRI