
KOSOVË – Gjykata në Prishtinë ka shpallur të fajshëm dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Xhafer Bardhin, që akuzohet se ka vrarë një 15-vjeçar dhe babanë e adoleshentit, për shkaqe pronësie. Ndërsa, djali i tij, Amir Bardhi është liruar nga akuza.
Sipas gjykatës, nuk është provuar që Amir Bardhi të jetë përfshirë në vrasjen e babë e bir. Gjykimi për rastin e rëndë është shpallur nga ana e kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi.
Gjykata shprehet se Xhafer Bardhi do të vuajë burgun përjetë, ndërsa Amir Bardhit do i ndërpritet paraburgimi e do të lirohet. Është konfiskuar arma, me të cilën dyshohet se është kryer krimi. Pas shpalljes së vendimit, në sallë të gjyqit, por edhe jashtë saj, ka pasur tensione.
Nëna e djalit 15-vjeçar ka shpërthyer në lot pas vendimit për lirimin e Amir Bardhit. Pamjet nga gjykata janë të rënda. Për të qetësuar situatën, ka ndërhyrë dhe policia.
Xhafer dhe Amir Bardhi u akuzuan se më 5 prill 2021, në vendin e quajtur “Zabel”, në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të mosmarrëveshjes për të shfrytëzuar malin, kanë vrarë të miturin A.M dhe babanë e 15-vjeçarit, shtetasin B.M./Zëri.ai/