
DURRËS- Përfaqësues të 65 familjeve, të cilat edhe pse kanë kaluar 5 vjet nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, vijojnë të mbeten në qiell të hapur, pa banesa, por dhe pa bonus qiraje kanë protestuar këtë të martë përpara Bashkisë së Durrësit, ku u shprehën se po kalojnë një periudhë të vështirë social-ekonomike dhe kërkuan zgjidhje nga qeveria qëndrore.
Sipas banorëve, Bashkia nuk i është përmbajtur kontratës së nënshkruar me ta, ku thuhej se bonusi i qirasë do të ndërpritej në momentin që ata do të futeshin në shtëpi. Një pensioniste u shpreh se merr vetëm 180 mijë pension dhe nuk i përmballon dot qiratë në qytetin bregdetar.
“Ka arritur kulmi, nuk po durojmë dot më. Jemi të sëmurë, jemi pensionistë, cfarë do të bëhet me pallatin tone”, tha një banor.
“Bashkia nuk i është përmbajtur kontratës që ka bërë me ne. Në kontratën thuhej se ditën që hyjmë në shtëpi, ndërpritet bonusi”, tha një tjetër.
“Unë një pension 180 mijë lekë të burrit kam. Vetë jam e papunë, e sëmurë. Çfarë të bëj? Në datën 1 më erdhi qeraxhiu më kërkoi qiranë. Desha, s’desha i dhashë paratë. Po vetë me çfarë të ushqehem? Nuk vdesim dot me zor”, tha banori.
Pallati, banorët e të cilit protestojnë, ndodhet në lagjen 12 të Durrësit. Ky pallat është në listën e 7 pallateve që duhet të rindërtohen nga Bashkia e Durrësit./ZËRI