
TIRANË- Prokuroria e Posaçme zhvilloi në operacion në Sarandë dhe Gjirokastër me qëllimin për të goditur grupe kriminale që ushtronin aktivitetin e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Në pranga është vënë Ervis Alisinanaj shefi i krimeve Lushnjë, Shkëlzen Ruska shefi i krimeve Himarë dhe Erdit Hazizaj efektiv policie deri në 2022. Ndërsa Elvis Dervishi shefi i policisë kufitare Sarandë, është shpallur në kërkim.
Operacioni u shtri në disa qytete të vendit, Tiranë, Kukës, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Sarandë. Zyrtarët akuzohen për “trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.
Emisioni në “Shënjestër” ka zbardhur disa detaje nga dosja hetimore dhe bisedat mes zyrtarëve të policisë dhe anëtarët e grupit kriminal. Siç është edhe kjo midis njërit prej anëtarëve kryesorë të organizatës, Benci Toska, më datë 1 Korrik 2020 më Kristo Qiricin, edhe ky i arrestuar për llogari të SPAK. Biseda gjatë të cilave të dy diskutojnë në lidhje me organizimin e udhëtimeve me rulot, ku Benci shprehet se ka siguruar 2 automjete franceze dhe dy gjermane.
Benci Toska i cili është një nga pjesëtarët më aktiv të grupit kriminal që del se gjatë viteve 2016-2017, ka kryer një dënim në burgun e Peqinit në të njëjtën kohë kur në këtë institucion po kryente dënimin edhe Eldjon Alushaj. Koha kur mesa duket ka nisur edhe njohja midis tyre.
Bisedat Sky ECC
Eldjon Alushaj: ‘Unë rashë në burg dhe ti ke bërë burg dhe ti e di shumë mirë gjërat si janë’.
Por Benci Toska nuk mban kontakte vetëm me Eldjon Alushaj që duket se e ka futur në këtë lojë. Por edhe me Kristo Qiricin. Të cilin e mban në korent për çdo zhvillim në lidhje me punët që po bëjnë në trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht në Evropë.
Bisedat Sky ECC
Benci Toska bisedon me Kristo Qiricin
‘Çfarë kujton ti se kam ndejtur kot unë. Deri më 30 Gusht i kam prenotuar makinat,
2 franceze, 2 gjermane, të paguara çdo gjë. Tani vetëm gazzzz.
Këtë vit është nëndetësja. ja kemi ndërruar emrin. Nuk njohim stop vëlla, se jemi turista në Francë ne këtë vit. Oui?
Dogana këtë vit është mali San Sebastian. Kaq.
Vetëm disa ditë pas kësaj bisede tejet i entuziasmuar Benci Toska njofton Kristo Qiricin se janë gati për një tjetër sulm që lidhet me organizimin e trafikimit të një sasie narkotikësh të llojit ‘cannabis sativa’ me çmimin 1.4.
Bisedë gjatë të cilës Benci shprehet se në banesë ka sasi të ndryshme narkotikësh, ndër të tjera 40 kilogram kannabis sere dhe 30 kilogram kannabis të llojit ‘amnesia’
Bisedat Sky ECC
Kam edhe vetë 70 kile në shtëpi vëlla super. do e bëjmë si duhet këtë herë. 40 kile i kam kështu ‘serre kritikal’, 30 i kam ‘ammesia serre’.
Por teksa punët duken se po u shkojnë mirë, me dy italianët që kanë mbetur prej muajsh në burg në pritje të daljes përpara gjykatës nuk duken se shkojnë edhe aq fjollë.
Pasi ndërsa duket se për momentin kanë kyçur gojën, ata nuk janë shpërblyer për heshtjen. Dhe pa para rrezikojnë shumë vite të kaluara në qeli.Kontakte me ta që duket se i mban Benci Toska
Bisedat Sky ECC
18 Janar 2021
‘O vëlla për zotin s’di si të ta shpjegoj më që kemi 3 muaj që nuk i çojmë lekë atyre dhe për zotin ajo goca do na spiunojë.
Ka gjyqin në mars dhe nuk i kemi bërë akoma kërkesën’.
27 Janar 2021
‘O vëlla ato nuk i çova unë atje. I çuat ju. Tani ata kanë 1 130 kile në kurriz, 25 vjet burg. Nuk thanë një llafe për asnjë, dhe ti thu çfarë të bësh.
Tani merrem unë me Lukën për një gjë që as nuk doja ta bëja. Nuk e meritoj unë këtë mospërfillje nga ana jote’.
Eldjon Alushaj i shkruan Benci Toskës.
‘Po ça duhet të bëj. Po pse me kontratë i kisha unë, që s’do bien në burg. Apo nuk e dinin ça pune po bëjnë, se s’po kuptoj tani’.
Por edhe pse është transferuar në Shkodër me punë si oficer policie, Erdit Hazizaj, kujdeset edhe aty që Kristo Qiricit t’i shkojnë punët si duhet, me lidhjet që ky i fundit ka në këtë qytet.
Bisedat Sky ECC
Erdit Hazizaj bisedon me Kristo Qiricin
‘Kam marrë një pune andej nga Shkodra.
Mos kemi ndonjë përplasje me ata shokët e t’u dhe të them.
‘Ishin ca emra nga Dobraçi, aty e kanë lagjen ata?
‘Aty më duket se janë. Shife dhe më thuaj, Gencin dhe Dorin i kemi aty’.
Por oficerët e policisë nuk kujdesen vetëm që grupi kriminal i drejtuar nga Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj, t’u krijojnë lehtësira në akse nacionale dhe në pika kufitare ku shërbejnë, por edhe marrin në patronazh dhe parcelat e kanabisit që kjo organizatë ka mbjellë në zonën e jugut të Shqipërisë.
Siç është edhe kjo bisedë ku Elvis Dërvishi pyet Kristo Qiricin, se në cilën zonë dëshiron të mbjellë që ta ketë më të lehtë kalimin më pas të tonelatave me kanabis sativa.
Duke i ofruar si garanci edhe vëllain e tij që thotë se e ka shef qarkullimi në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër.
Bisedat Sky ECC
9 Prill 2020
Elvis Dërvishi komunikon me Kristo Qiricin.
‘Në çfarë zone ke qejf me mbjell se kam vëllain shef qarkullimi dhe e ka mirë me Drejtorin e Gjirokastrës.
Në Përmet më the?
Vallaj vetëm me byrazerin tim, që është shef sektori qarkulllimi, se e ka mirë me drejtorin e Gjirokastrës.
Por Elvis Dërvishit nuk e mbyll këtu devotshmërinë e tij ndaj Kristo Qiricit. Pasi ai e njofton këtë të fundit në lidhje me çdo lëvizje të policisë që mund të dëmtojë sadopak grupin dhe të mbjellat e tij. Siç është edhe kjo bisedë e datës 6 Maj 2020, ku oficeri i policisë e paralajmëron Qiricin, në lidhje me një aksion të operacionales, që kishin disa ditë që kishin mbërritur në Sarandë.
Elvisi që do pyeste një kushon e tij që punonte te Operacionalja, se ku do t’a vendosnin GPS. Dhe pasi ta mësonte do njoftonte menjëherë Kristo Qiricin. Ndërsa më 17 Maj 2020, grupi i Kristo Qiricit bëhet sërish gati të kalojë një tjetër furgon me kanabis sativa në doganën e Qafë Botës.
Të ndihmuar edhe këtë herë nga Elvis Dërvishi. Ku duket se sërish pengesë është kthyer Fadili, ashtu si në rastin e rulotit me drogë që kaloi më datë 7 Mars po në këtë pikë kufitare.
Ervis Alisinanaj i shkruan Eldjon Alushaj.
‘Tek ai vend ka ardhur raportim edhe me emrin e babait tënd dhe nesër vijnë kontroll nga Vlora.’
Nga biseda dyshohet se vendi ku dyshohet të jetë kultivuar bimë narkotike është vendi i quajtur ‘Vodena’ në Kepin e Stillos në Sarandë.
Më datë 5 Gusht 2020, Ervis Alisinanaj i shkruan përsëri Kristo Qiricit dhe i tregon se ata janë nisur dhe janë andej i referohet punonjësve të policisë që do bënin kontrollin.
‘Nuk morën kontakt me ne, e bënë si në befasi, ok vlla’.
Një tjetër oficer policie i përfshirë në këtë organizatë kriminale me bazë kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike në jug të Shqipërisë del të ishte edhe Shkëlzen Ruska. I cili mbante komunikime të vazhdueshme në Sky ECC me Kristo Qiricin.
Shkëlzen Ruska i cili nga muaji qershor 2015 deri në mars të vitit 2024, ka shërbyer në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër. Dhe nga Janari 2025 ka shërbyer në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në pozicionin Oficer Policie
Ku në një nga bisedat ai kujdeset për nipçet e grupit të cilët janë shoqëruar në komisariat. Si në këtë bisedë këtu të zhvilluar në muajin shtator të vitit 2020, ku Kristo Qirici, i qan hallin.
Bisedat Sky ECC
Kristo Qirici bisedon me Shkëlzen Ruskën
‘Mi morën ata nipçet aty brenda në komisariat. pyet dot?’
Oficeri i policisë Shkëlzen Ruska që mban kontakte edhe me Luis Balën alias Edmond Sinanaj.
Ku ky i fundit në një nga bisedat e tij i kërkon oficerit të policisë që të kujdeset që njërit që është kapur në Kakavijë, tja nxijë dosjen deri aty sa ta konsiderojë anëtar të Partisë Komuniste Kurde.
Bisedat
Luiz Bala (alias Edmond Sinanaj) bisedon me Shkëlzen Ruskën
‘Atij që u kap në Kakavijë ja nxijmë dot dosjen? Ta bëjnë sikur është ushtar i PKK, që ta ekstradojnë për Turqi, që të tremben të tjerët’.
Biseda midis të dyve të cilat vazhdojnë deri në muajin Tetor 2020. Që lidhen edhe me episod të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike midis fshatit Dukaj dhe Salarisë në Tepelenë. Episod ku u arrestua në flagrancë edhe një efektiv i policisë Durrës. Ku Luiz Bala i kërkon Shkëlzen Ruskës ta ketë kujdes pasi në furgonin ku u kap sasia e lëndës narkotike prej 1.2 tonë kanabis, janë edhe gjurmët e gishtave të tij.
Dosja Hetimore
Më datë 1 Tetor 2020, Drejtoria e Policisë Gjirokastër ndaloi në rrugën midis fshatit Dukaj dhe Salari në Tepelenë një furgon që lëvizte i ngarkuar me një sasi prej 1 280 kilogram, bimë narkotike të llojit ‘cannabis sativa’
Ku drejtues i mjetit ishte shtetasi Alvan Kristo, efektiv policie në Komisariatin e Policisë Durrës, dhe pasagjer në vendin e parë të këtij furgoni ishte Klaudio Hysenaj.
Ku Luiz Bala në bazë të bisedave në Sky ECC i kërkon ndihmë efektivt të policisë, Shkëlzen Ruska pasi i kanë ngelur shenjat e gishtave në furgon dhe nga ky fakt mund të zbulohej. Ky i tregon se furgoni i kapur është i tij.
Bashkëpunimi midis oficerit të policisë Shkëlzen Ruska dhe Luiz Balës, që sipas bisedave duket se daton shumë më herët se ky episod i kapjes së sasisë së lëndës narkotike në Tepelenë. Biseda gjatë të cilave ata flasin për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Bisedat Sky ECC
Më 29 Korrik 2020, Luiz Bala komunikon përsëri me punonjësin e policisë Shkëlzen Ruska dhe e pyet nëse kishte folur për të dorëzuar rreth 60-70 kilogram.
Më datë 11 Shtator 2020, Luiz Bala pyet Shkëlzen Ruskën ‘çfarë të bënte me ato të llambës dhe më pas i thotë se do t’i japin çmimin e tyre.
Më datë 14 Dhjetor 2020, Shkëlzen Ruska komunikon me Kristo Qirici dhe e pyet nëse kishte ndonjë rrugë për në Greqi,
Shkëlzen Ruska: Ore po për ndonjë rrugë për Greqi, si i bëhet se kam ngelur ne vend numëro.
Kristo Qirici: Fol me Ledin (i referohet Eldjon Alushaj) se janë mbylll të gjitha andej.
Në vijim, Shkëlzen Ruska bisedon me Eldjon Alushaj për sasinë që kishte një person tjetër në Fier dhe e pyet nëse kishte interes.
‘Shkëlzen Ruska: Me 950 ka njeri nja 100 më thotë një djalë, ne Fier. Te interesojnë?
Ka gjet dhe një 50 po thotë me 1.2, Është super më i mirë se ai i llambës,
Po për të kuptuar se cila ishte pasuria që kishin vendosur krerët e grupit kriminal në këtë rast Eldjon Alushaj, emri i të cilit është përfolur edhe si porositësi i ekzekutimit mizor me tritol të komanduar të Aleksandër Sadikaj, apo i njohur si ‘Sanço’ në Tiranë në verën e vitit 2022, apo edhe Kristo Qiricit, vëllait të Edmond Papës biznesmenit që dyshohet se urdhëroi vrasjen e Sadikaj, mjafton të shikojmë porositë imobiliare që ata bënin.
Dhe pikërisht këtë këtu.
Ku Kristo Qirici në vitin 2020, porosit një banesë që në vlerë reale kushtonte 700 mijë euro. Qirici që e kishte pëlqyer dhe do e blinte për 625 mijë euro. Por që duke qenë se shuma ishte shumë e madhe dhe nuk e deklaronte dot, ai kërkon që ta blejë në vlerën 100 mijë euro me kontratë dhurimi.
Mjaftueshëm për të besuar se sa shumë punë të mira kishte kryer grupi kriminal që ai drejtonte përgjatëviteve 2019-2021, të ardhura të cilat i kishin siguruar edhe moskokëçarje. Por jo tashmë para ligjit, ku ndodhen./Në Shënjestër