
TROPOJË- 5 maji sot ka përjetësuar kujtimin e Tahir Sinanit, luftëtarit të 3 luftave të Ballkanit. Në Ditën e Dëshmorëve, shtatorja e tij është vendosur në qendër të qytetit të Bajram Currit. Për përurimin e saj, në ceremoni morën pjesë bashkëluftëtarët e tij, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti, por edhe politikanë të Kosovës, si kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Por nuk mungoi as pëfaqësia nga politika shqiptare, pasi në ceremoni mori pjesë edhe Pandeli Majko.
“Malësia e Gjakovës, vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, përgjatë shekujve rriti luftëtarë trima e sypatrembur, siç ishte bashkëluftëtari im, Heroi i Kombit, Tahir Sinani nga Tropoja. Tahiri i takon brezit të patriotëve shqiptarë të lëvizjeve për liri, brezit të luftëtarëve të cilët ranë me armë në dorë që të jetojë i lirë shqiptari. Me heroizmin e tij në luftërat çlirimtare, nderoi jo vetëm Tropojën por mbarë kombin shqiptar,”-shkruan Haradinaj në rrjetet e tij sociale.
Tahir Sinani, oficeri i njohur i Ushtrisë së Shqipërisë, më vonë komandant në tri luftërat çlirimtare, u lind më 25 maj 1964 në fshatin Gri të Tropojës. Ai mori pjesë në Luftën e Kosovës, në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në Luftën e vitit 2001 në Maqedoni. Gjatë luftës në Kosovë, ai ishte komandant i Zonës Operative të Pashtrikut dhe në atë kohë mori pjesë në Betejën e Pashtrikut. Më vonë iu bashkua UÇPMB-së dhe mori pjesë në Luftën e Luginës së Preshevës.
Gjatë Luftës së vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë, Tahir Sinani iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe u emërua komandant dhe udhëheqës i Brigadës 116, e cila e mbante emrin e tij. Por më 29 korrik 2001, Tahir Sinani sëbashku me 4 luftëtarët e tij e humbi jetën në aksident të rastit duke përgaditur armatimin e sofistikuar të minave me telekomandë. Aktualisht, trupi i dëshmorit Tahir Sinani varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit./ZËRI