TIRANË- Brenda afatit ligjor të parashikuar nga autoritetet greke, SPAK ka formalizuar kërkesën për ekstradimin e biznesmenit të ndërtimit Ilir Shtufi, i arrestuar në Selanik në qershor të këtij viti në kuadër të një hetimi për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Dokumentacioni i nevojshëm, i përkthyer zyrtarisht në greqisht, u është përcjellë institucioneve greke përmes kanaleve zyrtare. Dosja pritet të kalojë fillimisht në Prokurorinë e Selanikut dhe më pas në Gjykatën e Ekstradimeve, e cila do të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Nëse gjykata greke jep miratimin, Shtufi do të sillet në Shqipëri për t'u përballur me akuzat e ngritura nga SPAK, ndërsa ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë "arrest në burg", e caktuar në mungesë. Ai, ndërkohë, ka kundërshtuar ekstradimin dhe synon ta rrëzojë kërkesën përmes mbrojtjes ligjore.
Por cila ishte 'gafa' që çoi në arrestimin e Ilir Shtufit?
Arrestimi i tij në Greqi u bë i mundur pas një veprimi që hetuesit e konsiderojnë vendimtar. Ditën kur në Shqipëri zhvillohej operacioni i SPAK dhe BKH-së, Shtufi ishte larguar drejt Greqisë, pasi kishte marë ftesë nga një mik i tij, për të festuar ditëlindjen e fëmijës.
Sapo ka mbëritur në Selanik, Shtufi, është akomoduar në një hotel dhe në mëngjesin e ditës tjetër, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë mbëritur në vilën e tij në Tiranë.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij, bashkëshortja i lidhi agjentët me biznesmenin përmes një video-telefonate. Gjatë komunikimit, atij iu kërkua të dërgonte vendndodhjen (location) për të provuar se ndodhej në Greqi. Por, pas këtij veprimi, brenda pak minutave një patrullë e policisë së Selanikut ka shkuar në ambjentet e Hotelit dhe më pas ka arrestuar Ilir Shtufin në datën 12 qershor 2026.
Pikërisht dërgimi i vendndodhjes konsiderohet "gafa" që çoi në arrestimin e menjëhershëm të biznesmenit në Selanik. Tashmë, me procedurat e ekstradimit në zhvillim, fati i tij pritet të vendoset nga gjykata greke.
Shtufi dyshohet për pastrim parash në kuadër të një operacioni që goditi një grup të trafikut të drogës, të drejtuar nga dy vëllezërit Koçeku nga Kamza. Biznesmeni Shtufi ka qenë aktiv në fushën e ndërtimit, por dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal duke pastruar paratë e fituara nga trafiku i drogës.
Arrestimi i tij u bë nga oficerët e policisë të Nën -Drejtorisë së Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore , pas informacionit të transmetuar përmes kanaleve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor dhe INTERPOL-it, dhe ai u gjet përfundimisht në një hotel në Selanik.
SPAK thotë se Ilir Shtufi vlerësohet i përfshirë në veprime të kundërligjshme të pastrimit të parave duke vepruar në funksion të Luçiano Koçekut, nëpërmjet përfshirjes në një tërësi veprimesh si: shitje, tjetërsime fiktive, për qëllime të integrimit të të ardhurave te aktivitetit kriminal te Koçeku në shoqëritë “Nova Construction” dhe “LTD”.
Operacioni i zhvilluar më 12 qershor çoi në lëshimin e 20 masave të sigurisë. Mes personave të përfshirë në hetim janë edhe biznesmeni Artur Shehu, i shpallur në kërkim. Po ashtu në kërkim janë Erion Rama dhe vëllai i tij Adriani, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”. Grupi kriminal i vëllezërve Koçeku, i drejtuar nga Luçiano alias Artur Koçeku, vëllain e tij Abedin Koçeku dhe të tjerë anëtarë të familjes janë mes personave që është vendosur masa e sigurisë. Sipas SPAK, fitimet e krijuara nga trafiku i drogës janë investuar më pas në kompani ndërtimi, prona të paluajtshme dhe aktivitete të tjera ekonomike./ZËRI