
BERAT- Nëntë persona nga Malësia e Madhe, Kuçova, dhe Berati janë identifikuar si organizatorët dhe financuesit e serave me kanabis që u zbuluan në fshatin Rërëz të Beratit dy vite më parë, ku rezultoi se ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të policisë. GJKKO ka lënë në burg 6 të arrestuarit: Sadetin Hasaj, Lulëzim Bushataj, Mustaf Manej, Suad Smakaj, Arben Vrapi dhe Adiol Çifliku.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur tre të tjerë, ku mësohet se njëri prej tyre ka kaluar kufirin dhe ndodhet jashtë vendit, ndërsa dy të tjerë po kërkohen nga policia në territorin shqiptar.
Për të kultivuar kanabisin në 4 sera të mbyllura me plastmas, ishin punësuar gjithsej 95 gra. Sipas Prokurorisë së Posaçme, këta persona dy vite më parë, morën me qira disa parcela toke në fshatin Rërëz të Beratit, ku ngritën katër sera me kanabis. Më pas instaluan edhe linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, për kultivim kanabisi. Nga hetimet ka rezultuar se në sera kishin krijuar edhe fjetore me 81 dyshekë me ajër.
/ZËRI