HAGË- Trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u kryesua nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith III, i cili lexoi aktgjykimin e shqiptuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Charles Smith është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017, ndërsa që prej 29 prillit 2020 ai është edhe nënkryetar i kësaj gjykate. Krahas funksionit të nënkryetarit të gjykatës, ai ushtron edhe detyrën e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit.
Më parë, ai shërbeu si Gjyqtar i EULEX-it nga viti 2010 deri në vitin 2013. Si pjesë e këtij mandati, ai ishte anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës midis viteve 2011 dhe 2013, dhe u zgjodh Zëvendëspresident dhe President i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it për vitet 2011-2012 dhe 2013, përkatësisht. Gjatë kësaj periudhe u zgjodh fillimisht nënkryetar, e më pas kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Karriera e tij në drejtësi kishte nisur shumë më herët në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1990, Smith u emërua gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Distriktin e Katërt Gjyqësor të Ioëa-s, ndërsa nga viti 1996 deri në vitin 2010 shërbeu si kryegjyqtar i këtij distrikti.
Para se të bëhej gjyqtar, Smith kishte ushtruar profesionin e avokatit për rreth dy dekada. Nga viti 1970 deri në vitin 1989, ai ishte angazhuar në çështje civile e penale, si edhe në dosje që lidhen me biznesin, tatimet dhe trashëgiminë.
Prej më shumë se 5 dekadash, karriera juridike e Charles L. Smith III shtrihet nga avokatia në Shtetet e Bashkuara deri te angazhimi i tij në institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Ai përfundoi studimet në Universitetin Creighton dhe në vitin 1970 mori “Juris Doctor”. Ndërsa po në atë vit, Smith u pranua në Odën e Avokatëve të Nebraskës, ndërsa një vit më vonë edhe në atë të Ioëas. Prej vitit 2014, ai është angazhuar edhe si ndërmjetësues dhe arbitër, duke vijuar aktivitetin e tij në fushën e drejtësisë edhe pas karrierës si gjyqtar në SHBA.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Smith nuk është përballur për herë të parë me një çështje që lidhet me ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ai ka kryesuar gjithashtu trupin gjykues në procesin ndaj ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Ndërkohë, sot, Charles L. Smith III ishte në krye të trupit gjykues që shpalli vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët u dënuan në total me 81 vite burgim./ZËRI