
SPANJË- 59-vjeçari Hajredin Fejzulla, një nga 10 personat më të kërkuar në Europë, është vënë në pranga nga Policia në Spanjë. Ai u vu në pranga së bashku me 10 persona të tjerë në Madrid, ndërsa që prej vitit 2022, ndaj tij është dhënë një dënim me 29 vite burg nga autoritetet në Belgjikë.
Pas arrestimit, ai u vu në dispozicion të Gjykatës Qendrore Hetimore të Gjykatës Kombëtare, e cila duhet të vendosë nëse do ta ekstradojë në Belgjikë.
“Ngjarjet për të cilat ai ishte në kërkim ndodhën mes viteve 2014 dhe 2018, vite në të cilat i arratisuri drejtonte një organizatë kriminale, me bazë në Belgjikë, dedikuar kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, falë së cilës ai grumbulloi një pasuri prej më shumë se 4 milionë euro.
Ky njeri udhëhoqi, së bashku me familjarët dhe njerëzit e afërt të tij, një organizatë shqiptaro-kosovare ku rolet e secilit anëtar ishin të përcaktuara dhe të vendosura në mënyrë perfekte. Në nivelin më të ulët ishin kopshtarët dhe punonjësit e pastrimit, sipër tyre ishin personat përgjegjës për mbledhjen e parave, ata që ishin përgjegjës për logjistikën - dhënien me qira të shtëpive apo sigurimin e automjeteve - dhe së fundi në krye, ku ishin drejtuesit që koordinonin të gjithë aktivitetin.
Për kryerjen e këtyre aktiviteteve, ata përdorën dokumentacion fals për regjistrimin e kontratave të energjisë elektrike dhe qiranë e banesave ku kryenin kultivim masiv dhe ku rekrutonin persona që qëndronin ilegalisht në Belgjikë.
Në kuadër të hetimeve të kryera në Belgjikë, agjentët kryen një operacion ku çmontuan më shumë se 13 plantacione kanabisi dhe arrestuan drejtuesin e organizatës, i cili u dënua me më shumë se 29 vite burg. Pas këtij dënimi, burri u largua. Për shkak të këtyre ngjarjeve, autoritetet belge lëshuan tre urdhra evropianë për arrestim dhe dorëzim ndaj të pandehurit”, shkruajnë mediat spanjolle për arrestimin e Fejzulla.
????Detenido en #Madrid uno de los “EUROPE’S MOST WANTED” reclamado por tráfico de drogas
— Policía Nacional (@policia) September 16, 2024
Este hombre albanés había sido condenado a más de 29 años de prisión en #Bélgica por 13 cargos por tráfico de drogas, pertenencia a organización criminal y falsificación de documentos pic.twitter.com/bXd2Gs2WS9
Fejzulla, i lindur në Shqipëri, akuzohet nga autoritetet e drejtësisë në Belgjikë, si i përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa emri i tij renditej në listën e ndër më të kërkuarve në vendet e Bashkimit Europian.
Ai akuzohet nga autoritetet belge se ka përfituar miliona euro nga trafiku i drogës në Belgjikë, ndërkohë që krim kanë qenë të përfshirë dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.
Haredin Fejzulla ka lindur në Shqipëri, por ka jetuar në Belgjikë për shumë kohë. E gjithë familja e tij ishte e përfshirë në organizim. Me 3 vite burg u dënua edhe djali i tij 31-vjeçar, si ndihmës logjistik dhe roje i plantacioneve./ZËRI