
TIRANË- Merr fund arratia për ish-policin Klisman Nikolli, i cili akuzohet për shpërdorim detyre pasi lejoi kultivimin e kanabisit në vitin 2022 në Ungrej të Lezhës. Nikolli ishte shpallur në kërkim që atëherë, ndërsa Agjencia e Mbikqyerjes Policore njofton se është bërë i mundur arrestimi i tij. Ndërkohë, Nikolli rezultonte se ishte arrestuar dhe në Itali në nëntor të vitit 2022, nën akuzën e vjedhjes. Menjëherë pas arrestimit, Nikolli u përjashtua nga rradhët e policisë së Shtetit. Sipas AMP-së, sa i përket kultivimit të kanabisit, Klisman Nikolli ka bashkëpunuar dhe me një oficer tjetër, Serxhio Xhamalloti.
NJOFTIMI:
Pas hetimeve të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ndaj ish-oficerit të policisë K.N., 29 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Dy vite më parë ish-oficeri K.N. u shpall në kërkim nga AMP, pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës në Komisariatin e Lezhës, ka lejuar kultivimin e kanabisit në zonën e Njësisë Administrative Ungrej./ZËRI