Aktualitet

Arrestohet në Francë ish-shefi i Kadastrës së Kurbinit (AKUZA)

Piroli është dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata e Kurbinit.

E.K
Arrestohet në Francë ish-shefi i Kadastrës së Kurbinit
Momenti i dorëzimit tek autoritetet shqiptare

TIRANË- Ka marrë fund arratia për ish-drejtorin e Kadastrës së Kurbinit Kastriot Piroli. Ky i fundit është arrestuar në Francë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Piroli është dënuar me 5 vjet burgim nga Gjykata e Kurbinit.

Ndërkohë po nga Franca është ekstraduar këtë të mërkurë një 42-vjeçar, i identifikuar me inicialet I.J, ish-polic. Ky i fundit akuzohet se gjatë kohës që ka qenë polic në njësinë administrative Horë, bashkia Himarë, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka favorizuar persona të ndryshëm që ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve.


NJOFTIMI I POLICISË:

Policia e Shtetit. Vijon bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese në Francë, ekstradohen në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë që janë kapur në Francë, pas informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre, me Interpol Lion, nëpërmjet Interpol Tiranës.

Njëri nga këta shtetas është dënuar nga Gjykata e Kurbinit, me 5 vjet burgim, për shpërdorim detyre, ndërsa tjetri akuzohet nga Gjykata e Vlorës, për të njëjtën vepër penale. Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për shkëmbimin e informacioneve, me qëllim goditjen e vperimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, kanë shkëmbyer informacion me homologët francezë, për vendndodhjen e 2 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shkëmbimi i vazhdueshëm i informacioneve me Interpol Lion, nëpërmjet Interpol Tiranës, është finalizuar me kapjen në Francë dhe ekstradimin në Shqipëri, të këtyre 2 shtetasve, konkretisht:

-Kastriot Piroli, 52 vjeç, banues në Kurbin, ish-drejtor i Zyrës së Kadastrës Kurbin. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Lezhë kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, e cila e ka dënuar këtë shtetas, me 5 vjet burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. -I. J., 42 vjeç, banues në Vlorë, ish-punonjës policie. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 13.12.2020, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky shtetas akuzohet se gjatë kohës që ka qenë SPZ në njësinë administrative Horë, bashkia Himarë, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka favorizuar shtetas të ndryshëm që ushtronin veprimtarinë kriminale të kultivimit të narkotikëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB