Aktualitet

Ndryshimet në ligj/ Urdhri i Mjekëve: S'jemi pyetur, nuk jemi dakord

UMSH pretendon se kërkuan takim për të diskutuar ndryshimet, por nuk patën asnjë përgjigje ndaj kërkesës së tyre.

k.m.

TIRANË- Urdhri i Mjekut ka dalë sot me një deklaratë publike kundër ndryshimeve në ligj që përcakton orarin për mjekët që punojnë në sektorin publik dhe privat. Në një reagim zyrtar, një ditë pasi ligji hyri në fuqi, UMSH pretendon se kërkuan takim për të diskutuar ndryshimet, por nuk patën asnjë përgjigje ndaj kërkesës së tyre.

“Ne si përfaqësues të ligjshëm të mjekëve dhe palë e interesuar direkt pritëm dhe kërkuam të thirreshim në diskutimin në detaje nen për nen të ndonjë drafti që do të ndryshonte Ligjin e sipërcituar (siç ka ndodhur më parë në hartimin dhe përmirësimin në tre ligjet e bëra për UMSH nga Kuvendi i Shqipërisë),"-shkruhet ndër të tjera në reagim.

Sipas tyre, është problem që do të humbasin mundësinë për t'u vetërregulluar.

"Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jobuxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo departament të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetërregullimit apo të vetëqeverisjes profesionale siç i kemi pasur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar,"-thuhet ndër të tjera në reagimin zyrtar. 

Rregullorja e re ndalon mjekët që të punojnë më shumë se 12 orë në një klinikë private, e po ashtu do të kenë një regjistër publik ku do të deklarojnë se ku operojnë përveçse në spitalet publike. Gjithashtu mjekëve i ndalohet t’i sugjerojë pacientit që ka shkuar për trajtim dhe shërbime në spitalin publik ta orientojë drejt spitalit jo publik, ku ushtron edhe vetë profesionin.

REAGIMI I UMSH: 

Në emblemën e UMSH është vendosur një libër dhe një peshore. Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë edukon anëtarët (Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, standardet profesionale, edukimi i vazhdueshëm mjekësor, etj. konfirmojnë karakterin edukativ të tij). Peshorja shpreh ekuilibrin midis interesave të anëtarësisë dhe harmonizimin e tyre në interes të publikut (dëshmuar me gjykimin disiplinor profesional). Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jobuxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo departament të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetërregullimit apo të vetëqeverisjes profesionale siç i kemi pasur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar. Pa përmendur klauzola të tjera në ligjin e ndryshuar, por që në fakt kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucioneve shëndetësore publike (kontrolli i sistemit të referimit, kontratat e punës etj.) shihet qartë se ndryshimet ligjore bien ndesh me rolin, misionin dhe funksionin e UMSH-së. Këto ndryshime dhe shtesa prishin përputhshmërinë me homologët tanë ndërkombëtar. Duke theksuar për mosdakordësinë tonë të plotë me këto ndryshime ligjore, kërkojmë nga të gjithë organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese (Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, Presidenti i Republikës së Shqipërisë edhe si mjek) të rishikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit tanë të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH në kuadrin e përshtatjes së legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian dhe gjithmonë në përputhje me përvojën tonë 30 vjeçare dhe modelet e homologëve ndërkombëtar për të vazhduar si pjesë e denjë e organizatave të tyre

Poll

MOS HUMB