TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Mësohet se seanca është shtyrë, pasi i pandehuri Meriman Palushi ishte pa një përfaqësues ligjor për të zhvilluar mbrojtjen e tij. Ndërkohë bëhet me dije se GJKKO ka vendosur të legjitimojë ish-deputetin e PS Plarent Ndreca si avokat të Veliajt, pasi për të u ngrit shqetësim nga prokurori i posaçëm Altin Dumani për shkak të marrjes së tij në pyetje më herët në proces.
SPAK i ka kërkuar GJKKO se avokati që ka zgjedhur Veliaj të përfaqësohet, nuk mund të ushtrojë këtë detyrë pasi është marrë në pyetje si person që ka dijeni për këtë dosje, por pas shqyrtimit të kërkesës Gjykata vendosi që Ndreca në këtë moment, nuk përbën problem që të mbrojë Veliajn.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Gjykata: Duke qenë se janë shumë të pandehur dhe duke qenë se i janë vënë me dy shkresa materialet Erion Veliaj njëra prej të cilave Veliaj është vënë në dijeni me vendimin e gjykatës dhe në tjetrin përshkruhet gjithë ecuria e dorëzimit të akteve, rezulton që është refuzuar marrja e akteve nga i pandehuri Erion Veliaj dhe si përfundim Veliaj nuk pranoi ti marrë. Më pas oficeri i policisë gjyqësore përshkruan se fashikujt janë dorëzuar dhe janë lënë në administrim të IEVP Durrës dhe gjenden në një dhomë. Në rastin konkret akti është nënshkruar nga shefi i regjimit të brendshëm juristi i IEVP, dhe nga agjentët. Ndërkohë në e-mail që i është drejtuar gjykatës pretendohet e kundërta dhe se si është zbatuar vendimi i gjykatës
SPAK: Duke marrë në konsideratë rrethanat që ju parashtruat do veçoj se i pandehuri Erion Veliaj ka shprehur dëshirën të mos paraqitet në gjykim. Ai ka marrë dijeni dhe ka zgjedhur të mbrohet nga avokati Plarent Ndreca. Lidhur me legjitimimin e avokatit ai është pyetur gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ka papajtueshmëri për ushtrimit të detyrës sepse është pyetur si person që ka dijeni për rrethanat.
Plarent Ndreca: E parashikoja këtë kërkesë nga prokuroria, dhe në vlerësim të këtij ligji them që nuk jemi në papajtueshmëri. Thëniet nuk përbëjnë provë në vetvete dhe thëniet nuk kanë lidhje fare me këtë proces. Jam pyetur për njohjen me Ajola Xoxën dhe rezulton që s’kam njohje, më është bërë pyetje mbi një foto që është gjetur në zyrat e shoqërisë së zonjës Xoxa, pra thëniet e bëra në prokurori nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë papajtueshmëri që cënojnë interesin e këtij gjykimi.
SPAK: Është një rrethanë që duhet ta bënim prezent gjykatës. Është gjykata që vlerëson.
Gjykata: Në lidhje me avokatin e zgjedhur nga Veliaj duke patur në vëmendje momentin procedurial ku ndodhet ky shqyrtim gjyqësor që jemi ende në fazën e kërkesave paraprake, vlerësojmë të legjitimojmë si mbrojtës Plarent Ndrecën. Nuk ka pengesë që Ndreca të jetë avokat i kryebashkiakut.
Përmes një deklarate publike, Erion Veliaj theksoi se seanca paraprake nuk ishte zhvilluar ende, duke argumentuar se, për rrjedhojë, çështja nuk mund të konsiderohej në fazën e gjykimit në themel.
Menjëherë pas vendimit të GJKKO-së, më 11 mars u raportua se Veliajt i janë dërguar me furgon në burgun e Durrësit të gjitha materialet me 72 fashikuj me rreth 28 mijë faqe.
Më datë 9 mars, pas vendimit të GJKKO-së, në seacën e parë të gjyqit, SPAK urdhëroi BKH-së që t'i vërë në dispozicion të gjitha aktet heimore. Trupa gjykuese vlerësoi se duhet t’i vërë në dispozicion të pandehurit të gjithë fashikujt e hetimit. Gjatë kësaj seance, kryebashkaku Veliaj refuzoi të ishte i pranishëm me pretendimin se 'nuk kishte seancë paraprake', pavarëisisht se ishte njoftuar me shkresë nga burgjet për datën e seancës.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI