FIER- Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në Fier, pasi dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme. Në pranga kanë rënë Pëllumb Zgurati, 66-vjeç dhe Durim Kapaj, 62-vjeç, ndërsa nën hetim është vendosur Dorian Muhametaj, 35-vjeç.
Sipas njoftimit të policisë, këta persona dyshohet se kanë ndezur zjarre në fshatrat Ade, Kashisht dhe Drizë. Nga përhapja e zjarreve që kanë ndezuar këta shtetas, janë shkaktuar dëme në sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte.
Njoftimi:
Ndezën zjarre që shkaktuan dëme në toka bujqësore dhe ullishte, identifikohen 3 shtetas.
Arrestohen 2 prej tyre, tjetri procedohet në gjendje të lirë.
Pas marrjes së njoftimeve për disa vatra zjarri në territorin e qarkut Fier, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, bënë të mundur identifikimin e 3 shtetasve të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan 2 prej tyre, shtetasit:
-P. Z., 66 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Ade, Fier;
-D. K., 62 vjeç, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Kashisht, Fier.
Shtetasi D. M., 35 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë, si autor i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Drizë, Fier.
Nga hetimet dyshohet se nga përhapja e zjarreve që kanë ndezur këta shtetas janë dëmtuar sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte, si dhe është krijuar rrezik për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga zjarri, kryesisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.