Aktualitet

“Ankimim i nxitur në tavolina”/ Kreu i KLP-së përballet me Vetingun, KPA shtyn vendimin

Kreu i një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, i ka shpëtuar deri tani procesit të Vetingut.

E.K
“Ankimim i nxitur në tavolina”/ Kreu i KLP-së
Alfred Balla

TIRANË- KPA shtyn për në datë 21 maj ora 15:00 shpalljen e vendimit për ankimimin e Komisionerit Publik ndaj Alfred Ballës. Sot u mbajt në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, seanca e Vetingut për kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, për të cilin KPK kishte vendosur më herët ndërprerjen e procesit. Ka qenë Komisioneri Publik ai që ka ankimuar vendimin e shkallës së parë për Ballën, dhe tashmë KPA do të marrë vendimin nëse do të rihapë apo jo procesin për kreun e KLP-së.

Komisioneri Publik është shprehur dakord me ndërprerjen e Vetingut, por kërkon që për 15 vjet Balla të mos zgjidhet gjyqtar, prokuror etj. pasi lirimin e tij nga Gjykata e Lartë, pra vullnetin e tij e barazon me rastet kur magjistratët japin dorëheqjen.

Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi përpara Komisionit të Posaçëm të Apelimit ndalimin për 15 vjet të zgjedhjes në të gjitha organet e drejtësisë të Alfred Ballës që aktualisht mban postin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ligji thekson se anëtarët e KLP apo KLGJ kur iu mbaron mandati, kanë të drejtën që të emërohen dhe të kenë funksione në sistemin e drejtësisë.

Pasi Ballhysa përfundoj relatimin e tij vetë Balla jo vetëm që e kundërshtoi kërkesën e tij, por e quajti ankimin si “antiligjor dhe të pakuptimtë nga ana ligjore”. Në fjalën e tij Balla vuri në dyshim se ankimi mund të jetë nxitur nëpër “tavolina”. 

“Nuk e di nga është nisur Komisioneri të bëjë ankim, në cilën tavolinë”, tha Balla në fjalën e tij.

Ballës i tërhoqi vëmendjen kryesuesja e trupës gjykuese Ina Rama e cila tha se ai nuk mund të shprehte vlerësime personale.

Më poshtë faktet dhe rrethanat e vendimit për Ballën, sipas vetë KLP-së, institucionit që ai drejton:

1. Zoti Alfred Balla është emëruar ndihmës ligjor pranë Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë me aktin e emërimit Nr.56, datë 02.04.2012 të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

2. Gjatë ushtrimit të detyrës, me hyrjen në fuqi të dispozitave ligjore për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësave ligjorë, në cilësinë e ndihmësit ligjorë pranë Gjykatës së Lartë, sipas nenit 179/b, pika 4 të Kushtetutës Z. Balla ka marrë cilësinë e subjektit të rivlerësimit (ex officio).

3. Në zbatim të këtyre dispozitave, Z.Balla ka plotësuar e dorëzuar të gjithë formularët e dokumentacionin e parashikuar nga ligji, brenda afatit ligjor. (Brenda muajit janar 2017 në tre institucione: ILDKPKI, DSIK, KLD)

4. Më vonë pas disa muajsh, me urdhërin Nr.200, datë 31.07.2017 të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Z.Balla është liruar nga detyra, për shkak të mbarimit të mandatit të Gjyqtarit pranë të cilit ai ushtronte detyrën. Sipas këtij urdhri, marrëdhëniet financiare kanë përfunduar më datë 15.09.2017.

5. Z.Balla pas përfundimit të marëdhënies së punës, më datën 30.11.2017 ka aplikuar në pozicionin kushtetues të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga radhët e shoqërisë civile, për shkak të angazhimeve, që ai ka pasur në këtë fushë.

6. Pas verifikimit nga ana e Avokatit të Popullit, Komisionit të Shoqërisë Civile, Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Komisionit e Nën Komisionit të Ligjeve pranë Kuvendit të Shqipërisë dhe pasi ka rezultuar në plotësim të kushteve ligjore e kritereve profesionale dhe morale Z.Balla, sipas ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në muajin Shkurt të vitit 2018, me vendimin Nr.19/2018 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), nga radhët e juristëve jomagjistratë që vinin nga shoqëria civile.

7. Më datë 22.06.2018, pas zgjedhjes si anëtar i KLP-së, z.Balla, i ka paraqitur KPK-së, kërkesë për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit pa vendim përfundimtar, për shkak se, procesi ndaj tij nuk mund të vazhdonte.

8. Në datën 19.12.2018 është konstituuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ka filluar nga puna, duke filluar kështu dhe marrëdhënia financiare për Z.Balla cili ndërkohë vazhdonte i papunësuar që nga muaji shtator i vitit 2017 (pasi nuk mund të ushtronte dot as detyrën e avokatit, sepse mund të ishte në kushtet e konfliktit të interesit me prokurorët kur të fillonte nga veprimtaria, KLP-ja).

9. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me vendimin Nr.675, datë 16.06.2023 ka vendosur:

 “Të deklarojë përfundimin e procesit të rivlerësimit pa një vendim përfundimtar për z. Alfred Balla.”

10. Sipas vendimit të këtij Komisioni, humbja e statusit të ndihmësit/ këshilltar ligjor nuk ka ardhur si pasojë as e përfundimit të procesit të rivlerësimit, as e dorëheqjes së tij, por si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij.

11. Referuar procesverbaleve të mbledhjes së këtij komisioni rezulton se, përfaqësuesi i ONM-së, ka qenë në dijeni dhe i pranishëm dhe nuk ka pasur objeksione për këtë vendimmarrje, ashtu si nuk ka dhënë as rekomandim për ankim pas dhënies së vendimit.

12. Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim Komisioneri Publik më datë 30.06.2023.

 

Poll

MOS HUMB