
TIRANË- Lundrimet drejt Barit dhe anasjelltas janë pezulluar për shkak të motit të keq, duke filluar nga data 17 deri më 19 nëntor. Kompanitë e lundrimeve bëjnë të ditur se për pasojë janë pezulluar lundrimet e trageteve mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Portit të Barit (Itali) dhe anasjelltas.
Duke filluar nga ora 12:00 e ditës së sotme, era do të jetë me drejtimin Jug-Jug-Lindje dhe më pas në drejtimin Veri-Perëndim në forcën deri 6-8bft me shpejtësi ere deri 20-30m/s dhe lartësi dallge deri 1.70-3.50 m.
Masat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme Detare:
1. Është ndaluar dhënia e leje - nisjes gjatë datave 17-18-19.11.2023 duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre.
2. Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe të anijeve të peshkimit janë njoftuar që të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuar dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3. Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 17-18-19.11.2023
4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete NUK do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 19.11.2023.’- njofton drejtoria Detare.