
SHKODËR- Drejtori i Policisë së Shkodrës Edmond Sulaj është pyetur ditën e sotme gjatë konferencës për shtyp për operacionin “Bjeshkët” nëse ka marrë mesazhe kërcënimi, dhe a druhet që të lëvizë i lirshëm në qytet. Pak ditë më parë në një emision televiziv, eksperti i sigurisë Ervin Karamuço, deklaronte pa e përmendur në emër, se drejtori i policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, nuk dilte dot natën për të lëvizur në qytet. Por përpara gazetarëve gjatë ditës së sotme, Sulaj ka thënë se nuk ndjehet i kërcënuar gjatë kryerjes së detyrës së tij.
Gazetari: Drejtor ekziston një prendim se ju jeni kërcënuar kohët e fundit përmes mesazheve, mbi drejtimin tuaj si qëndron e vërteta?
Sulaj: Nuk është aspak e vërtet. Unë bëj jetën normale të një qytetari të thjesht shkodran dhe nuk jam i frikësuar.
Çfarë deklaronte Karamuço disa ditë më parë në një emision
“Shkodra bën një diferencë shumë të madhe me një pjesën tjetër të vendit. Veriu është më i predispozuar që për shkak të disa eksponentëve që paratë t’i hedhë në fushatë. Dhe kjo bëhet që persona në lidhje me krimin e organizuar të mos kenë më fuqi për të blerë vota. Drejtori i Policisë së qarkut të Shkodrës, para 3 javësh i thanë “natën mos dil vetëm”. Ai merr kaq shumë kosto sa edhe kërcënohet, dhe kjo tregon që ai e ka ndarë mendjen dhe tregon që do të vendosë rregull. Kjo është “luftë”, doni më shumë se kjo. Tritolet që vendosen çfarë duhet më shumë”.
Qyteti i Shkodrës është një prej më problematikëve sa i takon krimit në Shqipëri, por edhe përplasjeve që ka mes bandave, megjithatë Sulaj pretendon se kjo klimë nuk ndikon në punën e tij të përditshme. /ZËRI