
ELBASAN- Resmi Karaj dhe Pranvera Sefa janë vënë këtë të enjte në prangat e Policisë së Elbasanit pasi akuzohen se kanë kanosur dhe marrë peng një 68-vjeçar. Sipas Policisë, ata kanë pasur synim ti marrin 68-vjeçarit një shumë parash. Karaj dhe Sefa e mbajtën 68-vjeçarin për disa minuta në një makinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me tre aparatë celularë
NJOFTIMI I POLICISË:
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”. I hoqën lirinë një 68-vjeçari dhe e kanosën për t’i marrë një shumë parash, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë. Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 68 vjeç, se për motive të dobëta, 2 shtetas i kishin hequr lirinë, duke e mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në një automjet, si dhe se ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 2 autorëve.
Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 57 vjeç, banues në Peqin dhe P. S., 47 vjeçe, banuese në Belsh. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", kryer në bashkëpunim dhe "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë"./ZËRI