
TIRANË- Një 22-vjeçar është marrë peng dhe është dhunuar nga 3 persona, të gjithë të afërm të ish të dashurës së tij. Pollicia e Tiranës bën me dije se autorët e arrestuar për këtë pengmarrje janë Arjan Çullhaj, 41 vjeç, Agim Çullhaj, 38 vjeç dhe Erind Kullolli, 27 vjeç. Pasditen e djeshme, i riu ishte në një lokal, nga ku është marrë peng dhe është futur në makinë nga të afërmit e ishit të tij, të cilët e kanë dërguar në Shëngjergj të Tiranës. Atje e kanë dhunuar edhe torturuar, e gjitha sepse i riu kishte pasur lidhje me vajzën e njërit prej tyre dhe familjarët nuk kanë qenë dakord.
Teksa dhuna ndaj të riut ende vazhdonte, Policia mori informacion lidhur me atë që po ndodhte dhe pasi mbërriti në vendin e ngjarjes liroi dhe arrestoi 3 autorët e pengmarrjes. Të tre akuzohen për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë" kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110/25, i Kodit Penal.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit A. Ç., 41 vjeç, A. Ç., 38 vjeç, dhe E. K., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë" kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110/25, i Kodit Penal. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë forcërisht në automjet, një 22-vjeçar, dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij, për motive të dobëta./ZËRI