PËRMET-Një ngjarje e rëndë ka tronditur Përmetin me tre persona të zhdukur në dy vite pa asnjë gjurmë. Shqetësimi ngrihet nga mënyra se si këta qytetarë të zonës janë parë për herë të fundit në të njëjtin aks rrugor në segmentin e vjetër të rrugës Përmet-Lëshicë dhe ajo që vjen më pas është mister, pasi për asnjë nga tre qytetarët nuk dihet asgjë.
Agron Çumani është parë për herë të fundit para 3 ditësh në segmentin e vjetër të rrugës Përmet-Lëshicë dhe prej atëherë asgjë nuk dihet për fatin e tij.
Në të njëjtën zonë, dy persona të tjerë, Niko Dhimitri dhe Filip Kristidhi, kanë humbur gjurmët prej dy vitesh, pa u gjetur asnjë shenjë, as nga familjarët, as nga komuniteti, dhe as nga autoritetet policore. Banorët hedhin poshtë edhe mundësinë e mbytjes së këtyre personave në lumin Vjosë, pasi deri më tani nuk është gjetur asnjë shenjë.
Situata alarmante ka ngritur shumë pyetje tek banorët e zonës. ZËRI i është drejtuar Policisë së Përmetit në lidhje me hetimin që po kryhet, nëse janë marrë persona në pyetje dhe a ka një pistë të caktuar ku po fokusohen autoritetet. Deri në përgjigje ky fenoment vijon të jetë i pazgjidhur.