Aktualitet

Ministria e Brendshme: Tullumbacja me azot të njihet si lëndë psikotrope

Policia raporti për një sërë rastesh, të goditjes së pikave, ku shitej tullumbacja me azot. Zëri.ai raportoi se në shumë lokale pranë shkollave, kjo lëndë shitej lirshëm

D.XH
Ministria e Brendshme: Tullumbacja me azot të njihet si lëndë
Tullumbacja me azot

TIRANË- Ministria e Brendshme kërkon zyrtarisht që tullumbacja me azot të konsiderohet lëndë psikotrope. Kështu, MB ka dërguar paraditen e sotme në Kuvendin e Shqipërisë depozitimin e kërkesës për Komisionin e Shëndetësisë, që azoti i tullumbaceve të shpallet lëndë psikotrope. 

Ministria shprehet se pas raportimit të disa aksioneve të policisë lidhur me këtë lëndë, konstatohet një shqetësim për përdorimin e tullumbacës me azot nga të rinjtë.

Në relacion, ministria thekson se edhe ekspertët deklarojnë se këta lëndë sjellin “probleme shëndetësore, përfshirë të natyrës neurologjike”.

Ministria e Brendshme, në dokument, vlerëson se duke qenë se këto lëndë nuk klasifikohen aktualisht si lëndë narkotike apo psikotrope të ndaluara, sipas legjislacionit në fuqi, lind nevoja emergjente për përfshirjen e tyre në listën përkatëse që i bashkëlidhet ligjit nr. 7975 datë 26.7.1995 “Per barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar.

Ministria e Brendshme: Tullumbacja me azot të njihet si lëndë
Dokument, ku Ministria e Brendshme kërkon që tullumbacja me azot të njihet si lëndë psikotrope

“Krahas gazit N20, kërkojmë nga Komisioni i Shëndetësisë të merret në konsideratë edhe përfshirja në listën e lëndëve narkotikeve apo psikotrope të ndaluara edhe të te gjitha substancave te reja narkotike, të identifikuara dhe propozuara, në kohë të ndryshme nga Instituti i Policisë Shkencore, të cilat mund t’ua vendosim në dispozicion sipas kërkesës Tuaj.

Sa më sipër, Ministria e Brendshme, edhe në rolin e institucionit udhëheqës për negociatat për Kapitullin 24, vlerëson se mbështetja nga ana Juaj e këtij propozimi është në përputhje edhe me rekomandimet e lëna në kuadër të Takimit të 13-të të Nënkomitetit të Bashkimit Evropian -Shqipëri “Drejtësia, liria dhe siguria” dhe konkretisht: “Shqipëria duhet të ndryshojë ligjin për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope për të përditësuar listën e substancave psikotrope ndaluara, në mënyrë që të sigurojë një kuadër të përshtatshëm ligjor për hetimet”,  shkruhet në propozimin e Ministrisë së Brendshme.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi pak ditë më parë në parlament se tullumbacja me azot është ‘lëndë e rrezikshme’ dhe do të ketë një konsultim me ekspertë të fushës, për të bërë klasifikimin e saj./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB