
TIRANË- Ndërkohë që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka protestuar përpara Bashkisë Tiranë, daja i tij, Vladimir Metani, mori në bashkëpunim një tender nga Bashkia Tiranë, përmes kompanisë së tij Desaret Company. Prapskena shkruan se bëhet fjalë për projektin e sigurisë rrugore në disa vendkalime për këmbësore dhe numëruesve të biçikletave në Tiranë.
Fitues të kësaj procedure nga Bashkia e Tiranës janë shpallur kompanitë RSM COMPANY dhe DESARET COMPANY. Pas Desaret Company qëndron Vladimir Metani.
Kjo nuk është hera e parë që Metani përfiton para publike.
Vladimir Metani, po nga Bashkia Tiranë, në 4 prill 2024, një ditë para se Meta të protestonte para bashkisë, kanë marrë një tender me vlerë rreth 700 mijë euro.
Vetëm gjatë muajit prill 2024, daja i Ilir Metës ka marrë në bashkëpunim nga Bashkia Tiranë 1 milionë euro para publike, ndërsa gjatë viteve të fundit ka marrë mbi 30 milionë euro para publike me tendera të dyshimtë dhe flamur të kuq.
Desaret Company, me nipt K01816001J është themeluar që në vitin 1996 dhe besohet se ka marrë dhjetëra milionë euro para publike ndër vite, me ndikimin e Ilir Metës.
Metani herë ka dalë vetë si pronar, herë e ka kaluar kompaninë në emrin e shtetases Sofije Shani.
Nga ana tjetër, Metani rezulton mes financuesve të LSI-së (tashmë Partia e Lirisë) me kryetar Ilir Metën.
Prapaskena shton gjithashtu se daja i Ilir Metës, Vladimir Metani, ka privatizuar pasuri publike, ndërsa ka marrë para publike kur Ilir Meta ishte kryeministër dhe në poste të tjera të larta publike.
Metani ka marrë tendera nga Bashkia Skrapar, Bashkia Rrogozhinë, Berat, Klos, Berat, Tiranë, Prrenjas, Kavajë, Peqin, Lezhë dhe rreth 5 milionë euro nga Rindërtimi.