TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shqyrtojë më 24 mars, kërkesën e ish-Presidentit Ilir Meta për zbutjen e masës së sigurisë. Gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën e Metës është përcaktuar Paulin Çera. Mësohet se Meta ka kërkuar lirimin nga qelia kundrejt një garancie pasurore.
Meta ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të butë sigurie si 'arrest shtëpie', 'detyrim paraqitje', 'garanci pasurore' ose 'ndalim i daljes jashtë shtetit'. Në kërkesën e depozituar thuhet se tashmë që dosja është dërguar tashmë për gjykim, nuk ekziston rreziku që ai të prishë provat apo të ndikojë mbi dëshmitarët.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI