
LEZHË- Autori i plagosjes së 27-vjeçarit Alfred Marku, Ermir Lucaj është njohur me masën e sigurisë "arrest me burg" nga Gjykata e Lezhës.
Në seancën e sotme, avokati i Lucaj u shpreh se klienti i tij ishte provokuar nga Marku, ndaj edhe klienti i tij kishte nxjerrë armën e zjarrit.
Por po ashtu shtoi se armën e zjarrit e kishte nxjerrë për ta trembur, jo për ta plagosur. Megjithatë justifikimi i ngjarjes, nuk ka ndryshuar asgjë për gjyqtarin Elvis Sulejmani, i cili pranoi kërkesën e prokurorit Arben Nika për ta lënë në burg të arrestuarin, i cili akuzohet për dy vepra penale: plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ndodhi të dielën, në Tale të Lezhës. Alfred Marku, 27 vjeç është qëlluar me armë zjarri nga një person, pasi i kishte ngacmuar partneren. Mes dy të rinjve ka nisur një përplasje verbale fillimisht. “Përse më sheh gruan?,”- mësohet se ka qenë fjalia që ka nisur sherrin. Më pas, autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të 27-vjeçarit. Marku është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori u arrestua nga Policia edhe pse ishte larguar nga vendi i ngjarjes./ZËRI