
LUSHNJE- Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Konjac. Një mjet tip “Ford” që drejtohej nga i riu Fabjol Ibraliu ka dalë nga rruga, duke përfunduar në afërsi të banesave.
Fillimisht Fabjol Ibraliu është përplasur me makinat e tjera që gjendeshin në anë të rrugës, dhe më pas ka përfunduar në afërsi të banesave.
Forcat e kërkimit që mbërritën në vendngjarje për të gjetur drejtuesin e mjetit, i cili nuk dihet se ku është edhe në momentin që flasim, nuk kanë gjetur asnjë shenjë të tij. Policia dhe zjarrfikësit kanë kërkuar deri në orën 4 të mëngjesit, por pa asnjë rezultat.
Në një video të rëndë nga vendi i ngjarjes, shihet nëna e drejtuesit të mjetit të zhdukur, e cila kërkon dhe pyet ku është i biri. Mes të bërtiturave dhe ulërimave ajo thotë se djali i saj ka vdekur. Një punonjës përpiqet ta qetësojë, ku i thotë se i biri nuk është në makinë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Nga trauma e pësuar nëna ka humbur dhe ndjenjat.
Nuk përjashtohet ende mundësia që Fabjol Ibraliu mund të jetë gjallë dhe se pas aksidentit mund të jetë ndihmuar, por këto mbeten ende hipoteza.
Mësohet se drejtuesi i mjetit ka dërguar babin në punë dhe më pas është nisur drejt punës së tij. Në pamjet e siguruara shihet se makina ka dëme të shumta dhe se ai ka qenë me një shpejtësi prej 160k/h.
/ZËRI