
DURRËS- Aleks Marku, 40-vjeçari që mbajti peng për 5 orë dy fëmijët e tij të mitur, dhe qëlloi me kallashnikov, ka pasur konflikte të vazhdueshme me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtje, për shkak të dhunës së Markut, i cili rezulton që të ketë thyer masën e arrestit të shtëpisë në Itali, pasi çifti jetonte në vendin fqinj.
Pas zënkave me bashkëshorten, ai ishte kthyer në Shqipëri, bashkë me dy fëmijët 6 dhe 11 vjeç, dhe kishte marrë një shtëpi me qera në Durrës, e cila u bë dhe skena e ngjarjes së rëndë. Mësohet se fqinjët janë alarmuar jo vetëm nga të shtënat me armë, por dhe nga të qarat e fëmijëve, që i kanë bërë thirrje vazhdimisht babait të tyre që të dorëzohej.
Sipas burimeve paraprake nga policia e Durrësit, ka dyshime se Marku ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ndërsa ka qenë konfuz dhe në dëshminë që ka dhënë para grupit hetimor. Ai pretendon se ka qëlluar me armë për t’u vetëmbrojtur pasi persona të tjerë donin që ta vrisnin.
“Kisha frikë se do më sulmonin, kam qëlluar në ajër për t’i trembur”, ka thënë Marku, i cili në momentin e neutralizimit nga RENEA ka bërë qëndresë për disa orë. Ai pritet që ti nënshtrohet testeve toksikologjike, për të parë nëse ka qenë nën efektin e alkoolit. Në Shqipëri 40-vjeçari nuk rezulton që të ketë pasur precedent penalë.
Dhuna që ushtronte Marku është konfirmuar dhe nga familjarët e bashkëshortes së tij, të cilët thonë që ai ishte mjaft konfliktual, dhe mbante armë dhe drogë në banesë.
Fëmijët e çiftit, tashmë po asistohen nga psikologë, për shkak të tmerrit që kanë përjetuar.
Në banesën që Marku kishte marrë me qera, janë gjetur të paktën 18 gëzhoja, si dhe është sekuestruar arma tip kallashnikov.
/ZËRI