
KOLUMBI-Një shqiptar është arrestuar në Kolumbi, si pjesë e grupit të njohur të trafikut të drogës “Falcon”. Shqiptari u arrestua gjatë një operacioni të koordinuar nga Sociedad de Activos Especiales (SAE), ku tre prona luksoze të vendosura në Llano Grande dhe Antioquia të Kolumbisë, u kontrolluan për shkak të lidhjes së tyre të dyshuar me Juan José Valencia Zuluaga, i njohur në botën e krimit të trafikut të drogës si “Falcón”, raportojnë mediat e huaja.
Madhësia dhe shumëllojshmëria e objekteve sugjerojnë një pasuri të konsiderueshme, në përputhje me profilin e pseudonimit “Falcon”, i cili prej vitesh është i lidhur me trafikun e sasive të mëdha të lëndëve narkotike. Ky individ konsiderohet si një nga drejtuesit e Klanit del Golfo, një prej organizatave kriminale më të fuqishme në Kolumbi.
Shqiptari banonte në pronën e tretë. Gjatë kontrollit u zbuluan tre armë zjarri dhe një sasi municionesh, të cilat nuk mund të justifikoheshin nga i huaji për posedimin e ligjshëm të tyre. Shtetasi shqiptar është vënë në dispozicion të Policisë Kombëtare për hetime të mëtejshme. Prania e armëve dhe municioneve në banesë përforcon perceptimin se këto prona shërbenin jo vetëm si strehë luksoze, por edhe si qendra të mundshme operacioni për veprimtari kriminale të lidhura me trafikun e drogës./ZËRI