
PRISHTINË - Serbi Vladimir Toliç, që është plagosur gjatë sulmit terrorist në veriun e Kosovës, ka lënë ambientet e Klinikës së Ortopedisë së QKUK-ut, në Prishtinë. Pasi është liruar nga spitali, serbi është dërguar në paraburgim.
Prokuroria Speciale ka dyshime të bazuara më së miri, se ai është pjesëtar i një grupi terrorist dhe po hetohet për vepra kundër rendit kushtetutes të Republikës së Kosovës. Po ashtu, dyshohet edhe për kryerje të veprave terroriste ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator.
Toliç do të mbahet një muaj në paraburgim, me vendim nga Gjykata e Prishtinës, për veprat penale “kundër rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “kryerja e veprave terroriste”. Vladimir Toliç dhe Blogoje Spasojevic janë përfshirë direkt në vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e policit Alban Rashitit.
“Duke qenë me një grup personash, ende të paidentifikuar, në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, me dashje, pasi kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra makina dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta, me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme, e me këtë rast, afër manastirit, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor, Alban Rushiti”, shpjegon Prokuroria.
I dyshuari tjetër, Dushan Maksimoviç, 27 vjeç, me dashje iu ka ofruar ndihmë, grupit terrorist në Banjskë./Zëri.ai/