Aktualitet

Lindshmëria në 'pikiatë', 37 % lindje më pak në qarqet e Dibrës dhe Kukësit

Në qarqet e Dibrës dhe Kukësit u shënua rënia më e madhe e lindshmërisë, krahasuar me vitin 2019. Edhe Tirana, ku popullsia rritet çdo ditë, nuk ka shifra pozitive të lindshmërisë.

D.XH
Lindshmëria në 'pikiatë', 37 % lindje më pak
Bebet

TIRANË – Numri i lindjeve në vendin tonë ka rënë me shpejtësi të madhe, sidomos pas periudhës së pandemisë. Rënie të madhe në lindje kanë pësuar sidomos qarqet e veriut të vendit.

Në numrin e ulët të lindjeve ka ndikuar sidomos emigracioni i lartë dhe planifikimi familjar. Kështu, një rënie drastike e lindjeve është shënuar në qarkun e Dibrës për 9-mujorin e 2023, në raport me 9-mujorin e parë të vitit 2019. Qarku i Dibrës ka një lindshmëri 37.2 përqind më të ulët sesa e njëjta periudhë e vitit 2019.

Një ‘frenim’ të lartë në lindje ka pasur edhe qarku i Kukësit, ku lindshmëria më 2023 ka pësuar rënie me 36.6 përqind, krahasuar me vitin 2019. Rënia e lindjeve për dy qarqet e verilindjes së vendit, lidhet me emigracionin e lartë, që ka prekur këto zona.

Rënie e lartë e lindshmërisë për vitin 2023 u shënua edhe në qarkun e Korçës (-30.7 përqind), Elbasanit (-29.7 përqind), Beratit dhe Fierit. Rënia e lindshmërisë në këto zona lidhet gjithashtu me emigrimin, që ka prekur më herët këto rajone. Nga 2019, lindjet në rang kombëtar u ulën me 20.8 përqind. 

Lindshmëria në 'pikiatë', 37 % lindje më pak
Lindshmeria ne 9-mujorin e parre te 2023, ne raport me 9-mujorin e pare te 2019

Për vetëm 4 vite, një lindshmëri në rënie prej 11.4 përqind shënoi edhe Tirana. Asnjë qark nuk shënoi një rritje, sado të vogël, në lindshmëri në raport me periudhën përpara pandemisë. Edhe qarku i Tiranës pësoi rënie, pavarësisht faktit se është zona, që çdo ditë rritet për nga popullsia, për shkak të migrimit të brendshëm.

INSTAT në raportin e saj për vitin 2022, raporton se norma e fertilitetit për vitin 2022 ka rënë në 1.21 nga 1.32 që ishte më 2021. Kjo do të thotë se 100 gra në moshë riprodhimi, lindin 121 bebe. Të dhënat e ulëta të lindshmërisë lidhen edhe me planifikimin familjar, teksa çiftet e reja zgjedhin të mos kenë më tepër se një fëmijë.

Kjo do të thotë se çiftet në vendin tonë nuk arrijnë të riprodhojnë veten. Shqipëria po shënon rekord për ulje të lindshmërisë, edhe në raport me vendet e Europës. Vetëm dy shtete europiane, Spanja dhe Malta (përkatësisht me normë fertiliteti 1.19 dhe 1.13), kanë lindshmëri më të ulët se vendi ynë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB