TIRANË- Sokol Mëngjesi, një prej dy avokatëve të kryedemokratit Sali Berisha është dhunuar me levë mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8.50, pranë zonës së ish-Bllokut në Tiranë, ku disa persona të paidentifikuar ende sulmuan avokatin. Detajet e para lidhur me gjendjen e tij shëndetësore i ka dhënë Policia, e cila njofton se për momentin ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani mendohet se kanë qenë 3 persona që kanë sulmuar avokatin, por ende asnjë prej tyre nuk është identifikuar. Lidhur me atë që ka ndodhur, do të merret një deklarim edhe nga vetë avokati, sapo të jetë i aftë që të flasë për të dhënë dëshminë e tij. Ndërkohë që deri më tani, ende nuk ka asnjë reagim nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe as nga avokati tjetër i tij, Genc Gjokutaj.
Njoftim paraprak i Policisë së Shtetit
Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI