
MEMALIAJ- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Memaliajt.
Ndaj avokatit Andrea Zotaj është organizuar një atentat. Për fat të mirë Zotaj i ka shpëtuar breshërisë së kallashnikovit në fshatin Qesarat.
Mësohet se në momentin e sulmit, avokati ka qenë i shoqëruar nga nipi i tij.
Personi që ka qëlluar në drejtim të avokatit është 36-vjeçari Fatos Lamaj, po nga zona e Memaliajt.
Sipas avokatit, Lamaj i kishte zënë pritë për t'a ekzekutuar, por fati ka qenë me Zotajn, i cili ka mundur që përmes manovrave me mjetin e tij, t’iu shmangej plumbave të breshërisë së kallashnikovit.
Avokati shprehet se ngjarja ka lidhje me detyrën që ai ushtron. Mësohet se 2 netë më parë agresori ishte kapur nga policia dhe ishte mbajtur 1 dite ne paraburgim duke e liruar më pas, për shkak të një konflikti me një të afërmin e tij.
Zotaj ishte avokat i kushëririt të tij, dhe kjo ka çuar në ngjarjen e rëndë.
Mësohet se pas ngjarjes Lamaj është vënë në pranga, ndërsa policia ka sekuestruar gëzhojat si prova materiale në vendngjarje.
Në njoftimin zyrtar të policisë së Gjirokastrës thuhet se Lamaj ka qëlluar në ajër, dhe qëllimi nuk ka qenë eleminimi fizik i avokatit, por kanosja e tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Mbrëmjen e djeshme, qëlloi me armë zjarri në ajër, për të kanosur 2 shtetas, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
Gjendet arma e zjarrit (pushkë), të cilën 41-vjeçari e fshehu në një zonë të pyllëzuar, dhe sekuestrohet bashkë me municion luftarak.
Menjëherë pas njoftimit të marrë më datë 28.03.2024, rreth orës 19:30, se në fshatin Qesarat, ishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit/ëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin F. L., 41 vjeç, banues në Memaliaj.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri (pushkë), në ajër, me qëllim kanosjen e shtetasve A. Z., 54 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të dy banues më fshatin Anë Vjosë. Më pas, ai ka fshehur armën e zjarrit, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Qesarat.
Arma e zjarrit u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa fishekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI