TIRANË- Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar sot këshilla të tjera për qytetarët se si të mbrohen nga virusi i Nilit Perëndimor. Virusi i Nilit Perëndimor nuk përhapet nëpërmjet prekjes, por përmes pickimit të mushkonjave, ndaj duket treguar kujdes në shmangien e këtyre insekteve, të paktën edhe për këtë muaj.
Sipas ISHP, duhen respektuar masat higjeno-sanitare si më poshtë:
- Parandaloni pickimin e mushkonjave, aplikoni produkte që mbajnë larg mushkonjat
- Vishni pantallona dhe këmisha me mëngë të gjata nëse kaloni kohë jashtë, veçanërisht në mëngjes dhe mbrëmje
- Vendosni rrjeta në dyer dhe dritare
- Pastroni ujin e ndenjur rreth shtëpisë suaj
- Mbani ulluqet e pastra
– Shmangni kontaktin me duar të zhveshura kur trajtoni ndonjë kafshë të ngordhur.
– Nëse po hidhni një zog të ngordhur, përdorni doreza ose qese plastike për ta vendosur trupin e pajetë në një kosh plehrash.
– Ndiqni gjithmonë udhëzimet për gatimin e plotë të mishit.
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor. Ky virus ka ardhur dhe në Shqipëri. Autoritetet kanë raportuar se deri më tani kemi pasur 3 humbje jete dhe të paktën 17 të infektuar.
Por çfarë duhet të dimë për virusin e Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavarësisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit./ZËRI