
TIRANË- Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi këtë të enjte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Lazër Sallaku. Gjyqtari kishte probleme me pasurinë, duke bërë që të ngecë në shkallën e parë të vlerësimit. Mes gjetjeve problematike të Komisionit të Vettingut, kryesore ishin 40 mijë euro dhuratë nga ish-vjehrra. Kjo e fundit sipas trupës gjykuese nuk kishte mundësi kursimi të një shume të tillë. Më pas Sallakut iu gjetën pasuri të regjistruara në emër të gruas.
Karrierën si gjyqtar Lazër Sallaku e nisi në vitin 2010, ku u emërua në Gjykatën e Durrësit nga Presidenti i asokohe, Bamir Topi. Më herët, Sallaku ka punuar si inspektor në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2013 Sallaku transferohet në Tiranë me vendim të Këshilllit të Lartë të Drejtësisë, që në atë kohë drejtohej nga ish-Presidenti i ndjerë Bujar Nishani.
Lazër Sallaku gjatë karrierës së tij ka pasur në “duar” dosje të nxehta të politikës në vend. Ai ka gjykuar çështjen e lobimit rus të kryedemokratit Lulzim Basha, dosjen CEZ-DIA dhe ka marrë pjesë në rigjykimin e rolit të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhiaj, në vrasjen e Azem Hajdarit./ZËRI