Aktualitet

Konfiskimi i kompleksit ‘Colombo’ në Durrës, tërhiqet Policia! Nëna e Pëllumb Tudës: E bëra me djersë të ballit

Për të zbatuar urdhërin e Gjykatës, Agjensia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kërkoi ndihmën e Policisë së Durrësit për të kryer ekzekutimin e vendimit, por hasi në rezistencën e familjarëve të Pëllumb Tudës njohur dhe me emrin tjetër, Pali Tuda.

k.m.
Konfiskimi i kompleksit ‘Colombo’ në Durrës, tërhiqet
Pëllumb Tuda dhe e ëma

DURRËS- Konfiskohet kompleksi “Colombo”-s në plazhin e Durrësit. Godina, pronë e Pëllumb Tudës ka rezultuar se është përfituar me paratë e krimit, kështu që me urdhër të Gjykatës së Apelit në Durrës është urdhëruar konfiskimi i pronës. Për të zbatuar urdhërin e Gjykatës, Agjensia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kërkoi ndihmën e Policisë së Durrësit për të kryer ekzekutimin e vendimit, por hasi në rezistencën e familjarëve të Pëllumb Tudës njohur dhe me emrin tjetër, Pali Tuda. Edhe pse qëndroi 2 orë para godinës, Policia u tërhoq pa dhënë asnjë arsye.

Për mediat foli e ëma e moshuar e Pëllumb Tudës, e cila u shpreh se prona i përket 10 fëmijëve të saj që kanë punuar prej vitesh në emigrim.

“Kam pesë çuna, pesë vajza dhe pesë dhëndra. I kam bërë shtëpitë me djersë të ballit. Këto shtëpi kemi nga 30 vite që kemi filluar t’i bëjmë. 15 vite kam që rri me fëmijët brenda. Duke i bërë pak nga pak, duke shkuar e duke ardhur jashtë shtetit. S’kam blerë shtëpi, e kemi bërë vetë. Pallati është i imi, i burrit tim. Burri më ka vdekur dhe më ka kaluar pronën.Pëllumbi është fëmija im. Burri më ka vdekur dhe pronën ma ka lënë mua. Fëmijët e mi po rrinë në pronën time,”-tha ajo.

Të njëjtën tezë mbrojtën edhe avokatët që e cilësojnë si të paligjshëm ekzekutimin e vendimit. Sipas tyre, Pëllumb Tufa ka shitur pronën tek persona të tjerë por që rezultojnë familjarë të këtij të fundit. Po sipas tyre, për të zgjidhur këtë konflikt mes familjarëve ka nisur një proces gjyqësor civil në Gjykatën e Durrësit.

"Persona të tjerë, familjarë që janë investitorë që kanë bërë vetë banesat e tyre. Kanë bërë një kërkesë gjykatës së Durrësit për të marrë pasuritë e tyre që u takojnë dhe është në konflik gjyqësor. Ky vendim nuk mund të ekzekutohet pasi këta persona nuk janë thirrur dhe as pyetur nga gjykata. Nuk mund të veprohet në këtë rast. Nuk mund të nxjerrim familjarë, pleq e të sëmurë. Aty ka njerëz të paralizuar. Janë disa familje, madje dhe të tjerë janë në Itali,”-tha avokati

53-vjeçari Pëlumb Tuda është dënuar në Itali për trafik droge, ndërsa në Shqipëri u hetua për pastrim parash. Pas hetimit, Gjykata e Durrësit vendosi që të sekuestrohej objekti me vlerë 1 milionë euro në 2022. Vendim ky që është lënë në fuqi edhe nga Apeli./ZËRI

Poll

MOS HUMB