
TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin e fundit të kryer në Fondin Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor sa i përket zbatimit të kontratave për koncensionet Partneritet Publik Privat (PPP) ka konstatuar një sërë shkeljesh duke ngritur kështu “flamurin e kuq”.
Konkretisht shkeljet janë konstatuar në koncensionin për Kontrollin Bazë Mjekësor, Hemodializën, Sterilizmin dhe Kontrollet Laboratorike.
KONTROLLI BAZË MJEKËSOR (CHECK-UP)
Sipas KLSH-së, në lidhje me financimin e Kontratës së Koncesionit të Kontrollit Mjekësor Bazë (KBM/Check-up) të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale dhe Shoqërisë Koncesionare “3P.” SHPK, ka rezultuar se, janë kryer pagesa në shumën 876,082 mijë lekë për 454,828 kontrolle të kryera, nga 876,090 mijë lekë për 475,000 seanca, të planifikuara referuar projeksionit.
“Vlera e shërbimit për 454,828 rastet e KMB të kryera gjatë vitit 2022, rezulton në shumën 838,885 mijë lekë me TVSH. Edhe në vitin 2022, si në vitet e mëparshme, që prej fillimit të zbatimit të kësaj kontrate, janë likuiduar fatura referuar numrit të projektuar të KMB sipas kontratës dhe jo sipas numrit faktik të kryer, për rrjedhojë është faturuar shërbim i pakryer për 20,172 raste, me një kosto në shumën 37,198 mijë lekë me TVSH”, thotë KLSH.
Në këtë rast Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si përfaqësues në lidhjen e Kontratës Financiare Koncesionarit, të përgatisë një relacion të detajuar për MSHMS, si autoritet kontraktor që në bashkëpunim me Shoqërinë Koncesionare “3P.” SHPK.E po ashtu, rekomandohet të rishikojë kushtet e kontratës, pika 3 “Pagesa dhe mënyra e shlyerjes” me qëllim eliminimin e pagesave për shërbim të pakryer, si rezultat i likuidimit të rasteve të cilat janë nën projeksion vjetor, si dhe të kryhen analiza mbi efektshmërinë e dhënies së këtij shërbimi.
KLSH shprehet se nga analizimi i disa treguesve ka rezultuar se, pavarësisht shtimit të numrit të Check-up në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, sëmundjet kronike janë shtuar me 8,603 raste. Gjithashtu vlera e rimbursimit të barnave për shkak të rritjes së sëmundshmërisë dhe kompleksitetit të tyre me 1,184,831 mijë lekë më shumë. Është rritur edhe numri i shtrimeve në spitale me 18,979 raste më shumë, rritja e vizitave ambulatore në Spitalet Universitare dhe Bashkiake me 123,354 raste më shumë etj. Të gjitha këto tregojnë se efektet e masës profilaktike “Kontrolli Mjekësor Bazë”, nuk janë reflektuar në rezultat konkrete, në uljen e sëmundshmërisë së popullatës, duke cenuar efektshmërinë e përdorimit të këtyre fondeve.
HEMODIALIZA:
Probleme Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hasur dhe në kontratën koncensionare “Për ofrimin e Dializës”, të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Shoqërisë “DV” SHPK. Sipas KLSH, ka rezultuar se, edhe për vitin 2022, pagesa e koncesionarit nuk kryhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar. Ky shërbim përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose shprehur ndryshe nën projeksion vjetor, si dhe të rasteve të realizuara mbi projeksion mujor, të secilës Qendër dialize, në total 8,854 raste, nga të cilat 6,918 raste nën projeksion dhe 1,936 raste mbi projeksion, në shumën 99,191 mijë lekë, që përfaqëson pagesë për shërbim të pa kryer.
KLSH shton në audit e saj se planifikimi i projeksioneve nuk është në përputhje me nevojat reale për kryerjen e shërbimit dhe për këtë thotë KLSH mjafton të evidentojmë faktin që rajonet Shkodër dhe Vlorë, që prej fillimit të këtij shërbimi në vitin 2016, paraqiten me realizim nën projeksion. Rajonet Lezhë, Elbasan dhe Korçë paraqiten mbi projeksion, gjë që ka sjellë pagesa jo vetëm për nën projeksionin e këtyre qendrave, por dhe pagesa për mbi projeksionin, evitimi i të cilave bëhet nëpërmjet një planifikimi real të numrit sipas qendrave.
Dhe këtu Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Fondin të Sigutimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të negociojnë me koncesionarin. Sipas të dhënave të paraqitura në tabelat e mësipërme numri i pacientëve të trajtuar me dializë në nivel vjetor paraqitet nën projeksionin mujor me përjashtim të muajit Gusht, ndërsa numri faktik i seancave të dializës në total për 5 qendrat nuk e ka tejkaluar projeksionin mujor. Pavarësisht këtij fakti pagesat për dializën mbulojnë mbi projeksionet mujore të çdo qendre veçmas, si dhe nën projeksionet të cilat në total janë 8,854 raste (6,918+1,936=8,854).
STERILIZMI
Probleme Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar dhe në kontratën e “Sterilizmit”. KLSH sqaron në audit se për ndërhyrjet kirurgjikale të kryera gjatë vitit 2022, në tre llojet e spitaleve, universitare, rajonale dhe bashkiake, ka përdorim të seteve të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale, në 15,339 raste në Spitalet Universitare; në 8,708 raste në Spitalet Rajonale dhe në 55 raste në Spitalet Bashkiake.
“Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e Kontratës Koncesionit nr.1440/33, datë 10.12.2015 “PPP Sterilizimi i pajisjeve mjekësore”, të lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Shoqërisë Koncesionare “S.” SHPK, ka rezultuar se, për ndërhyrjet kirurgjikale të kryera gjatë vitit 2022, në tre llojet e spitaleve, universitare, rajonale dhe bashkiake, ka përdorim të seteve të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale, në 15,339 raste në Spitalet Universitare; në 8,708 raste në Spitalet Rajonale dhe në 55 raste në Spitalet Bashkiake. Niveli i lartë i deviacioneve, ku për të njëjtën tipologji kirurgjikale përdoren nivele të ndryshme të kompleksitetit të seteve, ku në spitalet universitare arrin deri në 52 % të rasteve, në spitalet rajonale deri në 48.5 % të rasteve, kundrejt totalit të ndërhyrjeve, reflekton mangësitë në përfshirjen e kirurgjive sipas tipologjisë, referuar nivelit të seteve, por dhe të përmbajtjes me instrumente mjekësorë të seteve referuar nivelit të kompleksitetit, gjë e cila është e shoqëruar edhe me rritjen e kostove të këtij shërbimi dhe për rrjedhojë të mbështetjes buxhetore për vazhdimësinë. Ri konfigurimi i tyre edhe pas ndryshimeve në vitin 2020, referuar aneksit nr. 4 të kontratës nr. 1440/40, datë 10.12.2015, dhe shkresës nr. 28/20, datë 04.12.2020 të koncesionarit, protokolluar në MSHMS me nr. 150/21, datë 07.12.2020 me objekt “Konfigurim i seteve 30.11.2020”, ka paraqitur mangësi dhe nuk ka minimizuar problematikën e evidentuar edhe në auditimin e mëparshëm”, thotë KLSH.
KONTROLLET LABORATORIKE:
Në audit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore, kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore. Kjo, shton KLSH sjell për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.
“Përsa i përket PPP “Shërbimi laboratorik” ka rezultuar se në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, numri i ekzaminimeve është rritur me 827,617 raste, ndërsa shpenzimet buxhetore me 509,715 mijë lekë, ose thënë ndryshe, niveli i rritjes së numrit të ekzaminimeve në total është 24.5 % më shumë se në vitin 2021, ndërsa niveli i rritjes së shpenzimeve buxhetore 46.2 % më shumë. Këta tregues demonstrojnë një rritje më të lartë të shpenzimeve buxhetore në krahasim me rritjen e numrit të ekzaminimeve, gjë e cila reflektohet në koston mesatare të ekzaminimit, ku në vitin 2021 rezulton në 326.5 lekë, ndërsa në vitin 2022 në 383.5 lekë, ose 17 % më shumë. Në kushtet kur çmimet referuese nuk kanë ndryshuar, kjo rritje është rezultat i kryerjes së ekzaminimeve me tarifa të larta, kundrejt atyre me tarifa të ulta, gjë e cila reflektohet në rritjen e shpenzimeve buxhetore. Gjithashtu, referuar të dhënave mbi shpenzimet e kryera në vitin 2020 dhe 2021, në shumat respektive 1,103,199 mijë lekë dhe 1,612,914 mijë lekë, si dhe ecurisë së planifikimit afatmesëm të buxhetit për financimin e këtij shërbimi rezulton se, vlera e tij do shkojë më tepër se parashikimi, duke kërkuar çdo vit më shumë angazhimin e fondeve buxhetore, shtuar këtu dhe faktin që një pjesë e kërkesave për ekzaminime transferohen në vitin pasardhës buxhetor”, thuhet në audit./Zëri.ai