
TIRANË - Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë në administrim truallin e Rezervave të Shtetit, në Lundër të Tiranës dhe do të ndërtojë aty një kompleks argëtimi. Një gjë të tillë e konfirmon KLSH. Kjo ndodh në një kohë, kur u dha alarmi, se në rezervat e shtetit, nuk ka grurë e karburant.
Brenda një dite janë firmosur disa shkresa që vendosën kalimin e pronësisë, me argumentin se do të ndërtohet aty një kompleks argëtimi sportiv. Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, brenda një dite, kanë miratuar shkresa, në bazë të të cilave është miratuar tjetërsimi i truallit rreth 95 mijë metra katrorë të Rezervave të Shtetit në Lundër, me synim privatizimin e tij.
Në vitin 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i drejtohet Ministrisë së Mbrojtjes, për dijeni edhe kryeministrit, me kërkesë për tjetërsimin e truallit të Rezervave të Shtetit dhe ndërtimin aty të një kompleksi argëtimi dhe sportiv. Fondi shprehej se gjendja e godinave është e dëmtuar dhe se projekti i saj synon krijimin e hapësirave argëtuese në zonë.

Në 6 tetor 2022, Ministria e Mbrojtjes i drejtohet Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave të Shtetit në Tiranë për të prezantuar situatën. Drejtuesi i Përgjithshëm i drejtohet drejtorit të Rezervave të Tiranës. Ky i fundit, në përgjigje, kërkon që projekti të parashikojë edhe një infrastrukturë më të mirë për Rezervat e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit i përgjigjet Ministrisë së Mbrojtjes se është parimisht dakord për projektin e FSHZH-së. Gjitha komunikimet në rrugë zyrtare kanë ndodhur për një ditë. KLSH që ka audituar procedurat, ka ngritur dyshime, duke argumentuar se institucionet nuk kanë marrë kohën e duhur, për të vlerësuar situatën dhe kthimi i shpejtë i përgjigjes, mund të ketë shpërfillur rëndësinë që situata kishte.

Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin nr. 808, datë 12 dhjetor 2022, në bazë të të cilit kalon truallin e Rezervave të Shtetit nën administrimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për ta përdorur për të ngritur një vend argëtimi dhe sportiv. Në vendim thuhet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit, para se të marrë truallin në zotërim, duhet të nënshkruajë Marrëveshje me Drejtorinë e Rezervave të Shtetit për ndërtimin e infrastrukturës së re për këtë institucion.
Fondi ka marrë pronat në dorëzim, por ende nuk ka marrëveshje për godinat e Rezervave të Shtetit. Ministria e Financave i ka thënë KLSH-së se prona është parashikuar se do privatizohet, por se procedurat nuk kanë nisur ende. /Zëri.ai/