TIRANË- Këtë të martë do të zhvillohet seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhe. Gjatë seancës, pritet që SPAK të japë qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e ngritura nga të pandehurit për vlefshmërinë e provave të administruara në dosje.
Meta dhe Kryemadhi kanë kundërshtuar mënyrën se si janë siguruar provat, duke pretenduar se ato janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe sipas tyre, nuk duhet të përdoren në procesin gjyqësor.
Në seancën e kaluar, Meta u ndal te komunikimet me Kastriot Ismailajn, duke përmendur mesazhin ku thuhej "më duhen 200 mijë". Sipas tij, prokurorët nuk kanë provuar asnjëherë se ai ishte dërguesi i këtij mesazhi.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi pretendoi se SPAK ka sekuestruar telefonin e saj celular pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit. Ajo argumentoi se në kohën e sekuestrimit gëzonte statusin e deputetes dhe, sipas saj, nuk mund t'i nënshtrohej një kontrolli të tillë pa procedurat përkatëse.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë./ZËRI