
TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për heqjen e masës “arrest në shtëpi”, ndërsa më herët ishte rrëzuar kërkesa e tyre për ndryshimin e trupës gjykuese.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pas vendimit të marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”.
Pak ditë më parë avokatët e Berishës njoftuan se do ta çonin rastin e ish-kryeministrit në gjykatën e Strasburgut, pasi sipas tij institucionet e drejtësisë në Shqipëri kanë zvarritur rastin e tyre.
Përmes një kërkesë padie avokatët e ish-kryeministrit i kërkojnë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që të ndërhyjë për heqjen e masës që e konsiderojnë të pabazuar në ligj.
Veç kësaj ish- kryeministri i numëron gjykatës së Strasburgut të gjitha përpjekjet që bëri në vendin e tij me kërkesa të vazhdueshme për zhbërjen e masave shtrënguese përfshi edhe kërkesën për ta shoqëruar shoqëruar ne parlament. Por gjykatat sipas mbrojtjes së ish kryeministrit i shkelën të drejtat, jo vetëm duke mos e dëgjuar por edhe duke i zbardhur vendimet ngadalë. /ZËRI