
TIRANË- Artan (Marjus) Tafani ndodhet sot pas hekurave pasi dorëzoi të gjithë ‘shokët’ duke zbardhur kështu dhe gjashtë vrasje e mjaft krime të tjera mjaft të rënda që kanë ndodhur vitet e fundit. Njohja e Tafanit me Laert Haxhiun dhe kthimi në ‘killerin’ e tij nuk është një rastësi.
Nuk bëhet fjalë për një miqësi të nisur nga bankat e shkollës e as në lagjet e Lushnjes.
Marjusi i Bashkimit, siç e thërrisnin të gjithë kur ishte i vogël, jetoi vetëm 10 vitet e para në Lushnje, për aq kohë sa kishte dhe babain gjallë. Siç shkruan gazetarja Anila Prifti, në vitin 1997, Marjusi ishte me të atin në lokalin e tyre, tip bilardo, në Stan Karbunarë të Lushnjës, kur persona që dyshohet se kanë qenë nga Elbasani, erdhën dhe ia masakruan para syve. Të miturit i kursyen jetën, por jo traumën që i la ekzekutimi i të atit para syve e më pas largimi me të ëmën drejt jugut të vendit. Marjusi u rrit me të afërmit e nënës së tij, por ditët i kalonte duke planifikuar mënyrën se si do të merrte hakun e të atit. Ishte betuar për këtë gjë, por kjo hakmarrje mbeti pezull. Deri më tani, e vetmja gjë që dihet është se autorët e vrasjes së Bashkim Tafanit kanë qenë shokë burgu me viktimën, por asnjë prej tyre s’është ndëshkuar ende…as nga Policia e as nga i biri!
Jeta e Marjusit dhe Laert Haxhiut bashkohen vetëm në një pikë. Njësoj si Marjusit, edhe Laertin e terrorizuan në vitin 1997 kur anëtarë të bandës së Aldo Bares (Alfred Shkurti), i dogjën shtëpinë dhe i vranë nipin, Bledar Haxhiu.
Në vitin 2010, Tafani u kthye në Lushnje dhe u njoh me Laert Haxhiun. Që prej asaj dite, çdo ‘punë’ që bënin bashkë mbeti enigmë deri në momentin që Tafani la gjurmët në një Exchange në Astir, në 24 qershor të këtij viti.
Me prangosjen e Tafanit, në një hotel në Lushnje, erdhi dhe zbardhja e shumë ngjarjeve të rënda kriminale.
Gazetari Igli Çelmeta tregoi një ditë më parë se Tafani është marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka kërkuar metadon nga uniformat blu.
“Ishte në gjendje shumë të rënduar, ka kërkuar që t’I jepnin metadon në mënyrë që të jepte dëshminë dhe të zbërthente ngjarjet kriminale ku ishte përfshirë ai vetë dhe Laert Haxhiu që ndodhet i arrestuar në Greqi,”- tha Çelmeta.
12 persona u arrestuan, 4 të tjerë u shpalllën në kërkim pas rrëfimit të Tafanit.
6 vrasjet e zbardhura:
Alban Semaku, 17 Tetor 2021
Çajup Selimi, 1 Qershor të 2021
Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021
Fridmand Xhaferraj, 13 Maj 2021
Lulzim Qorri, 12 Dhjetor 2018 (Athinë)
Dikens Halili, 3 Tetor 2021 (Athinë)
Sa i takon Laert Haxhiut, për të cilin gjykata në Greqi nuk pranoi ekstradimin, ai akuzohet se është porositësi i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi ku viktimë mbetën Lulzim Qorri dhe Dikens Halili.