
TIRANË- Kërkoi të marrë pjesë në Parlament, GJKKO shtyn seancën për Sali Berishën. Seanca e radhës ku do të shqyrtohet kërkesa e Berishës, për të marrë leje që të paraqitet në Kuvend, do të mbahet në datën 8 Shkurt. Sipas avokatit mbrojtës të Berishës, Genc Gjokutaj, e gjitha kjo zvarritje nga ana e gjykatës ka si qëllim djegien e mandatit të tij si deputet. Gjokutaj tha se pala mbrojtëse ka dorëzuar dhe kërkesën e katërt për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga kjo çështje.
“Seancë u shty për në datën 8 Shkurt, sot gjykata mori dhe kërkesën e katër për përjashtimin e Gjokës, ajo nuk dëgjon, sot ishte një qëndrim jo me dy standarde, por i shtatëfishtë. E gjitha kjo bëhet nga Gjykata për t’i djegur mandatin Berishës. Sot është dekriptuar që qëllimi politik po zbatohet rigorozisht nga gjykata", u shpreh avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Berisha ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë që prej muajit Dhjetor, ndërkohë që edhe Apeli ka rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie. Tashmë avokatët e Berishës kanë paralajmëruar që do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, vetë Berisha u thirr javën e kaluar nga dy prokurorët për të dhënë llogari para SPAK, ku hodhi akuza të vazhdueshme ndaj tyre, duke i cilësuar si grup kriminal.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”./ZËRI