Aktualitet

Kërcënimet e magjistratëve/ GJL: Të merren masa ligjore. KLGJ: Të mbrohen njerëzit e drejtësisë

Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani ka ngritur alarmin tek institucionet e drejtësisë. Tafani deklaroi se Laert Haxhia kishte vënë në objektiv për të eliminuar prokuroren e SPAK Doloreta Musabelliu dhe prokuroren e Lushnjës së shkarkuar tashmë nga vetingu, Merita Selimi

D.XH
Kërcënimet e magjistratëve/ GJL: Të merren masa ligjore.
Gjykata e Lartë në Tiranë

TIRANË - Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, me anë të një reagimi, shprehen se janë duke ndjekur me shqetësim, kërcënimet në drejtim të magjistratëve, për shkak të detyrës së tyre.

Në një deklaratë për shtyp të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, thuhet se duhet që të merren masa ligjore ndaj kërcënuesve, në mënyrë që asgjë të mos lëkundë besimin qytetar tek drejtësia.

“Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë përcjellin me shqetësim të gjitha referimet për kërcënime të magjistratëve për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.

Presionet apo kërcënimet e çfarëdo lloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së çdo individi, si dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Gjykata e Lartë mbështet organet ligjzbatuese në marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e çdo ngjarjeje dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore, duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e sjelljeve të kundërligjshme”, thuhet në deklaratë.

Edhe KLGJ ka reagur për prokurorët dhe gjyqtarët e kërcënuar nga bota e krimit. KLGJ thekson se dënon çdo përpjekje për të minuar misionin e drejtësisë.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor bashkohet me aktorë të tjerë dhe njëzëri, dënon çdo përpjekje për të kërcënuar, kufizuar, apo ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, gjyqtarët dhe prokurorët në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Çdo përpjekje e tillë është një kërcënim serioz për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vend, pasi minon përpjekjet tona të përbashkëta drejt integrimit europian.’- thuhet në njoftimin e KLGJ.

Dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani ka alarmuar jo pak institucionet e drejtësisë në vend. Tafani deklaroi në dëshmitë e tij se Laert Haxhia kishte si objektiv për të eliminuar  prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu dhe prokuroren e shkarkuar nga SPAK në Lushnjë, Merita Selimi.

Disa prokurorë në vend janë në mbrojtje të posaçme, për shkak të kërcënimeve që kanë marrë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB