
GREQI- Një 48-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Ylli Vangjelaj, i dënuar për vrasje në Itali në vitin 2011 dhe në kërkim, është arrestuar pasditen e djeshme në Janinë nga punonjësit e policisë së Drejtorisë së Sigurimit të Janinës. Gjatë kontrollit të Policisë u konstatua se 48-vjeçari rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për vrasjen e një prostitute nga Ekuadori, Betty Ramirez. Ngjarje e ndodhur më 9 dhjetor 1999 për llogari të një grupi kriminal. Vangjelaj, u dënua nga drejtësia italiane me 22 vite e 8 muaj burg. Ylli Vangjelaj është vënë në prangat e Policisë shqiptare më 12 korrik të vitit 2018, por ende nuk dihet se si përfundoi i lirë.
Si ndodhi ngjarja
Betty Yadira Ponce Ramirez u përdhunua, torturua, vra dhe u varros në 9 dhjetor 1999. Ajo u rrëmbye nga të tre persona në mbrëmjen e 9 dhjetorit 1999 përpara pikës së karburantit Esso në Caorsana dhe më pas u vra në brigjet e Po në Mortizza. Tre shqiptarë, Ylli alias Fatmir Vangjelaj, Robert Ziu dhe Erjon Sejdiraj tentuan ta mbysin por pa sukses dhe më pas i’a futën kokën nën ujë derisa u mbyt. Më i pamëshirshmi nga të tre, Erjon Sejdiraj i njohur si “Cico”, teksa e reja bërtiste e dëshpëruar, kishte telefonuar kunatën duke e informuar për atë që po bënte. Trupi i të resë u gjet më 20 shkurt 2000. Krimi, i ndodhur në kuadër të prostitucionit, synonte të ishte një provë e forcës së tre shqiptarëve në dëm të bandës që dominonte në atë kohë në Piacenza.
Duke rrëmbyer Betty Ramirez dhe duke kërkuar një shpërblim nga “pronarët” e vajzës së re, ata mund të provonin vlerën e tyre. Vrasja brutale shqetësoi shumë opinionin publik për shkak të pamëshirshmërisë së vrasësve dhe mbi të gjitha për shkak të thellësisë kriminale dhe kontekstit të luftës për epërsi mes bandave të shfrytëzuesve të prostitucionit. Robert Ziu u kap në SHBA në vitin 2006 (edhe ky i dënuar me 23 vite burg) dhe Erjon Sejdiraj, ai që ishte kapoja i vërtetë i bandës, u arrestua në Belgjikë, shtet ku akuzohej për mashtrim dhe falsifikim dokumentash, si i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen në Itali.
Jeta e Ylli Vangjelajt
Ylli alias Fatmir Vangjelaj pas vrasjes u arratis menjëherë në Shqipëri ku kishte ndërruar identitet. Kishte marrë emrin e pagëzimit të vëllait më të madh dhe ditëlindjen e motrës së vogël. Duke u bërë një person tjetër ai u rikthye në Itali ku qëndroi në Chieti ku u martua dhe u bë me një vajzë, por asaj nuk i dha asnjëherë mbiemrin e tij. Hetimet e autoriteteve italiane nuk u ndalën as pas gati 20 vitesh duke këmbëngulur pranë homologëve shqiptarë për të gjetur identitetin e vërtetë të vrasësit të prostitutës.
Policia shqiptare ndaloi vëllain e tij duke besuar se kishte arrestuar vrasësin, por kur u krahasuan shenjat e gishtave ai u lirua me kusht. Në këto momente Ylli ose Fatmir Vangjelaj e kuptoi se rrethi po shtrëngohej dhe vendos të rikthehet në Shqipëri pasi kishte mësuar edhe arrestimin e Robert Ziut. Sapo u kthye në Shqipëri ndryshoi sërish identitet. Nisi të punonte si murator duke bërë një jetë në hije. Por autoritetet italiane e kishin vënë ndërkohë nën përgjim. Mbetet ende e paqartë se si ka përfunduar I lirë Vangjelaj./ZËRI