
GREQI-Ish-peshëngritësi nga Himara, Pirro Dhima është konfirmuar tashmë si një kandidat për eurodeputet të Greqisë në Parlamentin Europian. Pas kandidaturës si duket ish-peshëngritësi ka nisur me premtimet e para.
Nëpërmjet një reagimi të ditëve të fundit në rrjetin social 'Instagram' ai thekson se tashmë do të përfaqësojë Greqinë, ashtu siç ka bërë gjithnjë, ndërsa nuk ngurroi edhe të shprehej se do të kërkonte të drejtat për “Epirin e Veriut”, si “Pirro” i të gjithë grekëve.
“Kandidoj sot, jo vetëm për t’i dhënë zë zërit dhe të drejtave të “Epirit të Veriut”, por edhe si përfaqësues i Greqisë, ashtu si kam bërë gjithmonë, si Pirro i të gjithë grekëve”, shkruan Pirro Dhima në komentin e videos.

Ish-peshëngritësi Pirro Dhima dikur ka bërë bujë me deklaratat për origjinën e tij. Në një intervistë të mëparshme shkaktoi reagime të shumta nga të dyja anët e kufirit. “Unë jam një grek i lindur në Shqipëri”,- ishte kjo përgjigja që Pirro Dhima i dha gazetares greke Elena Akrita, e cila e cilësonte me origjinë shqiptare.
Fredi Beleri dhe Pirro Dhima janë zyrtarisht kandidatë të partisë Demokracia e Re për eurodeputetë në Parlamentin Europian, në zgjedhjet që priten të mbahen më 9 qershor. Emrat e tyre u bënë publik në Konventën e partisë. Aktiviteti në Konservatorin e Athinës prezantohet nga Aristotelia Peloni, ndërsa i pranishëm pritet të jetë edhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis./ZËRI