
KAMËZ- Erind Mrruku, 36 vjeç, është vendosur në prangat e Policisë së Shtetit pasi qarkullonte me armë zjarri, gati për qitje. Megjithatë ende nuk dihet se cili objektivi i të riut, i cili edhe më herët ka qenë i dënuar për vrasje. Në momentin e prangosjes, 36-vjeçari Mrruku kishte me vete edhe një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara. Por kjo nuk është hera e parë që i riu nga Kamza përfundon në prangat e uniformave blu.
Në vitin 2010, ai ka qëlluar për vdekje edhe reperin, Fabian Nikaj, u bë i njohur për publikun në vitin 2007 në festivalin “Top Fest”. 3 vite pas debutimit të tij si reper, në korrik të vitit 2010, Fabiani gjendet në një lokal në Shëngjin ku nisi konflikti me tone të larta me Erind Mrrukun, asokohe 23 vjeç. Më pas Erind Mrruku i cili dyshohet të ketë qenë i shoqëruar edhe nga disa djem të tjerë, ka ndjekur Nikajn me makinë deri në qytetin e Lezhës ku edhe e ka qëlluar me armë zjarri, 25-vjeçarin.
Pasi ka kryer vrasjen, autori është vetëdorëzuar në Polici, ndërsa nga hetimet rezultoi se vrasja kishte ndodhur për shkak të një konflikti të çastit për një vajzë, pranë një internet-kafe dhe një picerie, në Shëngjin.
VIDEOJA E ARRESTIMIT:
NJOFTIMI I PLOTË:
Kamëz/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar "Cancelled". Lëvizte me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari. 36-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, që iu gjetën 36-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në rrugën "Nënë Tereza", në Kamëz, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cancelled”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Kamëz. Gjatë operacionit, në rrugën "Nënë Tereza", shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin E. M., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit dhe municionin luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.